Manaj titullar ndaj Juventusit

Në sfidën mes Shqipërisë dhe Izraelit u aktivizua vetëm në minutën e 82-të duke luajtur për pak çaste, por edhe pse nuk është ende një pikë referimi në sulmin e përfaqësueses kuqezi, Rey Manaj është njeriu që ka për detyrë të mbajë mbi supe peshën e repartit të avancuar te Pescara. 19-vjeçari shqiptar në vetëm pak kohë ka arritur të fitojë plotësisht besimin e trajnerit Massimo Odo dhe deri tani është aktivizuar në 9 ndeshje të Serisë A me Pescarën duke realizuar dhe 2 gola. Manaj, i cili te skuadra abruceze luan si i huazuar nga Interi, sipas asaj që raportojnë mediat italiane do të luajë si titullar ndaj Juventusit.
Odo pritet në këtë mënyrë t’i besojë talentit shqiptar edhe në një ndeshje shumë të vështirë siç është ajo ndaj skuadrës kampione në fuqi dhe që ka fituar 5 tituj rresht. Kjo do të jetë ndeshja e 4-t për 19-vjeçarin nga Lushnja si titullar në këtë sezon. Manaj edhe pse shkëlqeu në miqësoret e verës në takimet e para aktivizohej më tepër nga stoli. Më pas një dëmtim bëri që ai të humbiste jo vetëm 2 ndeshjet e Shqipërisë ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës, por edhe 2 takime të Serisë A. Megjithatë sulmuesi i kombëtares shqiptare është kthyer më i fortë se kurrë nga ai dëmtim dhe tashmë është shndërruar në një element të domosdoshëm për Pescarën. Në ndeshjen e të shtunës në mbrëmje ndaj Juventusit, Manaj do të jetë sulmuesi i vetëm i Pescarës i mbështetur nga Caprari, ndërsa një fanellë titullari në repartin e mesit të fushës do ta ketë edhe Ledian Memushaj. Me shiritin e kapitenit në krah, 29-vjeçari nga Vlora do të synojë me Pescarën e tij t’i bëjë një surprizë të hidhur Juventusit edhe pse misioni për të marrë pikë në Torino duket shumë i vështirë për skuadrën abruceze.

Artikulli paraprakEdhe INSTAT i Ramës e pranon: Familjet shqiptare po varfërohen
Artikulli tjetër“Metastazat e drogës kanë pushtuar vendin. Trafikantët nuk arrestohen në Shqipëri”