Mançester Junajtid ka siguruar praninë në finalen e Kupës së Ligës, duke eliminuar Hall Sitin. Por skuadra e Zhoze Murinjos ka vuajtur më shumë sesa parashikohej përballë ekipit, i cili aktualisht mban vendin e parafundit në klasifikimin e kampionatit anglez.
Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë bëri të mendonte se Mançester Junajtid do të shkonte i qetë drejt finales. Por goli i Hadwllston në pjesën e parë komplikoi planet e “djajve të kuq”, të cilët rrezikonin të shpërdoronin këtë avantazh të krijuar në ndeshjen e parë. Goli i Pol Pogba në minutën e 66 ktheu disi qetësinë te Murinjo, por Niase në minutën e 86 rihapi plotësisht fatin e ndeshjes, pasi në këtë turne nuk merret për bazë rregulli i golave jashtë fushe dhe Hall mund të çonte takimin në shtesa nëse shënonte përsëri.
Gjithsesi, Mançester Junajtid arriti të mbronte këtë rezultat dhe falë humbjes 2-1 në duelin e dytë, kaloi në finale ku e pret Sauthemptoni dhe ku me siguri Ibra & Co do të jenë favoritë.