Manchester City kërkon Sanchez

Garës për të firmosur me Alexis Sanchez i është shtuar edhe Manchester City. Sulmuesi kilian ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me Arsenalin dhe për të mos e humbur me parameter zero më 2018-tën, Topçinjtë kanë vendosur ta nxjerrin në shitje ish-lojtarin e Barcelonës. Për futbollistin interesohet prej kohësh Bayern Munich, madje disa ditë më parë mediat kiliane e bënë fakt të kryer kalimin e Alexis te skuadra e Carlo Ancelottit.
Por në ditët e fundit gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë pasi Citiziens firmosën me Bernardo Silvën dhe janë shumë pranë portierit të Benficës Ederson, kanë hyrë fuqishëm në garë edhe për Sanchez, i cili më shumë sesa një aventurë në Gjermani pëlqen të qëndrojë në ishull. Pep Guardiola do të bëjë një revulucion të vërtetë te Manchester City gjatë kësaj vere dhe  28-vjeçari amerikanojugor është një nga objektivat e mëdhenj të trajnerit spanjoll, në merkato.
Te City besojnë se mund të firmosin me Sanchez dhe i kanë bërë Arsenalit të njëjtën ofertë si Bayerni, ndërkohë që do të kërkojnë të bindin futbollistin duke i ofruar një pagë më të lartë. Për Alexis përpara disa muajsh kishte interes edhe nga Chelsea, por duket se Blutë e Londrës janë tërhequr dhe tani parashikohet një garë dyshe mes Bayern Munich dhe Manchester City-t për të firmosur me kilianin, i cili do të largohet nga Londra këtë verë.

Artikulli paraprakIkin 3 yje të Realit
Artikulli tjetërDe Rossi te Roma deri në vitin 2019