Manchester City, ofertë 60 milionë euro Juves dhe 40 milionë Bonuçit

Man. City ofron miliona për Leonardo Bonuçin. Agjenti i mbrojtësit të Juventusit ka udhëtuar drejt Anglisë për të zhvilluar një takim me drejtuesit e klubit të Citizens në lidhje me të ardhmen e klientit të tij. Sipas asaj që bëjnë me dije mediat e huaja, Man. City ka ofruar 60 milionë euro për bardhezinjtë dhe 8 milionë euro në sezon për mbrojtësin, të cilit pritet t’i ofrohet një kontratë 5-vjeçare dhe në total nëse arrihet marrëveshja për t’u transferuar në ishull do të përfitojë 40 milionë. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” shpesh kanë deklaruar se 29-vjeçari është i pashitshëm, por oferta e bërë në drejtim të tij duket se e ka vënë në vështirësi Juventusin dhe nëse bardhezinjtë nuk i pëgjigjen ekonomikisht, atëherë qëndrimi i Leonardo Bonuçit në Torino dhe për sezonin e ardhshëm duket një mision i vështirë.
Mes Manchester City dhe agjentit të mbrojtësit së kombëtares italiane bisedimet duket se kanë avancuar. Në profilin zyrtar të Man. City në Twitter, klubi anglez ka postuar një artikull ku sqaron bisedimet mes palëve, duke e shoqëruar dhe me një foto të 29-vjeçarit. Për Bonuçin kishte shfaqur interes dhe Chelsea, por duket se Antonio Conte ka hequr dorë prej lojtarit, pasi nuk është më në planet e tij. Situatë disi e vështirë për kampionët e Italisë, të cilët ndodhen përpara një oferte të çmendur dhe dëshirës së madhe për të mos e lejuar largimin e mbrojtësit. Por ende nuk është thënë fjala e fundit, pasi ai që do të vendosë do të jetë vetë Bonuçi, i cili shpesh ka deklaruar se ai është një tifoz i Juventusit dhe se nuk e mendon largimin nga skuadra.

Exit mobile version