Fenerbahçe i rrëmben vendin e parë të Grupit A, Manchester United, ndërsa Feynoord eliminohet nga Europa League. “Djajtë e Kuq” kaluan me vështirësi 2-0 në transfertën e ftohtë të Zryas me gola të Mkhitaryan dhe Ibrahimoviç, duke arritur në fazën tjetër të kompeticionit. Gjithsesi, skuadra e Jose Mourinhos e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë, pasi turqit e Fenerbahces kaluan 1-0 Feynoordin në “De Quip”. Golin vendimtar e realizoi Moussa Soë në minutën e 22, duke i dhuruar ekipit nga Bosfori një 3 pikësh shumë të rëndësishëm. Në Grupin B, Apoel Nicosia fitoi 2-0 sfidën direkte me Olympiacos, duke rrëmbyer vendin e parë të grupit me 12 pikë, ndërsa bardhekuqtë nuk e rrezikuan kualifikimin. Në sfidën tjetër, Young Boys shkatërroi 3-0 Astanan, por nuk u ngjit më shumë se vendi i tretë, pasi Olympiacos favorizohet për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte me zviceranët.
Surpriza vjen nga Grupi C, ku Mainz mbeti jashtë, pavarësisht fitores 2-0 ndaj Kabalas. Gjermanët e mbyllin këtë fazë me 9 pikë në vendin e tretë, pasi Saint Ettiene triumfoi 3-2 në fushën e Anderlecht. Vendasit shënuan dy herë në portën e francezëve, por nuk arritën të ruanin avantazhin, pasi në pjesën e dytë, Alexander Soederlund dy herë dhe Monnet-Paquet arritën të kthenin ndeshjen, duke siguruar një fitore historike që i katapulton në fazën tjetër. Në Holandë, AZ Alkmaar kaloi 3-2 Zenitin për t’u ngjitur në vendin e dytë. Fillimisht vendasit realizuan dy gola në portën e skuadrës ruse që rihapi llogaritë në pjesën e dytë, por goli i Tankoviç siguroi fitoren e AZ Alkmaar, pavarësisht autogolit të pësuar 10 minuta nga fundi.
Në përballjen tjetër të grupit D, fitorja 2-1 e Maccabi Tel Aviv ndaj Dundalk nuk shërbeu për asgjë, pasi skuadra izraelite e mbyll aventurën europiane në fazën e grupeve. Në Grupin E, Roma dhe Astra ndanë një barazim pa gola, duke siguruar që të dyja kalimin në fazën tjetër, ndërsa Viktoria Plzen ktheu disavantazhin e dy golave ndaj Austrisë së Vjenës për të kthyer në 3-2 ndeshjen edhe pse kjo ndeshje nuk shërbeu për asnjë prej dy skuadrave që eliminohen në fazën e grupeve. Në Grupin E, llogaritë ishin mbyllur pavarësisht barazimit 1-1 mes Rapidit të Vjenës dhe Athletic Bilbaos. Austriakët eliminohen ashtu si Sassuolo, që nuk e luajti ndeshjen me belgët për shkak të mjegullës së dendur në Emiglia Romagna. Kjo sfidë do të luhet të premten në orën 12:30.
Nuk ndryshon asgjë në Grupin I, ku Schalke u mund 2-0 nga Salzburg, por austriakët nuk kishin asnjë shans kualifikimi, pasi Krasnodar që u mund 2-1 në transfertën e Nice, e kishte siguruar kualifikimin. Francezët pa asnjë detyrim për fitore e mbyllën aventurën europiane me një sukses që nuk vret as skuadrën ruse që vazhdon për më tej bashkë me “blutë mbretërorë”. Në Grupin K, Southampton barazoi 1-1 Hapoel Ber Sheeva. Izraelitët eliminojnë anglezët dhe fitojnë të drejtën për të vazhduar, pasi në përballjet direkte kanë avantazhin e golit në fushën kundërshtare edhe pse kanë të njëjtën kuotë pikësh me anglezët, ndërsa në Milano, Sparta Praga e kualifikuar u mund 2-1 nga Interi. Dy golat e Eder rikthyen te fitorja skuadrën e Stefani Piolit, i cili karikon me moral grupin zikaltër që po kalon momente negative në kampionat. Ajax dhe Celta Vigo janë skuadrat e kualifikuara nga grupi G. Holandezët e vendit të parë barazuan 1-1 ndaj Standard Liegge, duke e lënë skuadrën belge jashtë kupave të Europës, ndërsa Celta Vigo arriti një fitore bindëse 2-0 në Athinë ndaj Panathinaikos për ta mbyllur këtë fazë në vendin e dytë dhe me një biletë në xhep.