Gjatë ditëve të fushatës elektorale, shumë media transmetuan pambarimisht një spot elektoral për kandidatin socialist të Sarandës, Vasil Llajo. Në këtë spot, zoti Llajo përshkruhej si bir i Sarandës, që kishte ardhur me mision në politikë për të ndihmuar njerëzit. Paralelisht me spotet ai u shfaq shpesh në shumë emisione prime time.
Cdo kandidat është në të drejtën e tij të bëjë fushatë. Por problemi është se PR i zotit Llajo financohet edhe me paratë e buxhetit, për pacientët që dergjen në spitalet publike të vendit.
Një ditë pasi ishin numëruar votat dhe Vasil Llajo ishte shpallur fitues nga lista e hapur në qarkun e Vlorës, në llogarinë e kompanisë së tij, Layo, mbërritën 154 mijë euro. Dërguesi i parave ishte buxheti i shtetit, përmes Spitalit Universitar të Traumës.
Ky ishte vetëm kësti i radhës, që qeveria derdh në llogaritë e kompanisë së deputetit të saj.
Layo sh.p.k është pjesë e një grushti kompanish, të cilat kontrollojnë tregun e pajisjeve spitalore në Shqipëri, veçanërisht atë që lidhet me protezat ortopedike.
Sipas të dhënave nga thesari i shtetit, në pesë vitet e fundit, Layo ka marrë gati 3.5 milionë euro pagesa nga paratë e qytetarëve për furnizimin e spitaleve me proteza. Por Layo është vetëm njëra nga kompanitë, përmes të cilave zoti Llajo merr bekime nga buxheti. Kompania tjetër është Sëissmed.
Edhe kjo kompani, e cila furnizon pajisje mjekësore, ka marrë gati 2 milionë euro të tjera nga autoritetet publike kontraktore. Muajt e shkuar opozitë kërkoi me ngulm djegien e mandatit të deputetit tjetër socialist Vullnet Sinaj. Kjo pasi disa institucione kishin blerë 35 mijë euro produkte në rrjetin e tij të marketeve.
Vasil Llajo, ende nuk është bërë deputet zyrtarisht. Por 35 mijë euro ai i thith në javë nga buxheti i shtetit. Në finale, Vasil Llajo nuk është përjashtimi, por rregulli.
Kjo është një maxhorancë që ka qenë gjithmonë e zhytur thellë në konfliktin e interesit. Deri në pikën që një pjesë e madhe e deputetëve të saj, ishin aksioner drejtëpërdrejtë në kompani që merrnin miliarda nga fondet publike. Pjerin Ndreu, Sadri Abazi, Safet Gjici e shumë të tjerë ishin të mandatuarit me duart në thesin e parave publike.
Paralelisht me këta, kjo maxhorancë ka prodhuar edhe ministra me kompani familjare, që merrnin asete publike apo dhe status të veçantë. Dhe në fund, ishin dhe aksionerët e fshehtë të skemave 5D.
Nëse ka një moçal, në politikën shqiptare ai është ky. Zotit Llajo thjesht i ka rënë barra ose fati i madh të jetë pjesë e tij. Me mision për t’u shërbyer njerëzve. Por edhe për të futur ngapak duart tek paratë e qytetarëve./Kapitali.al