Enkelejd Alibeaj, në emër të Partisë Demokratike, deklaroi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve të hënën se demokratët janë pro heqjes së mandatit të deputetit Sali Berisha, pas kërkesës së bërë nga SPAK.
“Ta konsiderojmë si një shërbim ndaj shqiptarëve sot, edhe në të ardhmen. Zero imunitet për askënd. Mbështetje për SPAK, duke krijuar një presion pozitiv. Duke bërë këtë akt ne sot, krijojmë këtë presion pozitiv ndaj SPAK. Qëndrimi i im personal si përfaqësues i PD, në Këshillin e Mandateve: I rekomandojmë seancës plenare që ta pranojë si kërkesë për heqjen e mandatit.”
Alibeaj kërkoi nga kolegët e mazhorancës që të krijohet një standard i unifikuar që në raste të tilla, kërkesat nga drejtësia të aprovohen gjithnjë dhe ligjvënësit të zhvishen nga imuniteti.
I njëjti standard, kërkoi ai, të ndiqet edhe me kryeministrin në detyrë.
“Ky qëndrim që do të mbajmë ndaj një ish-kryeministri, duhet të mbahet edhe ndaj kryeministrit në detyrë. Ta vendosim edhe SPAK, të mbajë të njëjtin standard, të hapë kërkesat e shumta, kallëzimet e shumta penale që përfshijnë kryeministrin. Dhe të kërkojë me të njëjtat standarde heqjen e imunitetit.”
Alibeaj solli gjithashtu në vëmendje se Partia Demokratike ka pasur në krye të herës një standard të vetëm, sa herë që drejtësia ka kërkuar heqje të imunitetit për ligjvënës të Parlamentit.
“Një standard i cili do duhet të jetë guri i themelit ndaj të cilit nuk duhet të kemi asnjë lloj luhatje, pavarësisht cilit kamp i përkasim.”