Mandati i Katërt: Pasqyra e një Sistemi

Nga Mimoza Manxhari

Ka momente në jetën e një kombi kur maskat bien. Zgjedhjet e përgjithshme që sapo kaluam janë një prej këtyre momenteve. Ato nuk treguan vetëm se kush fitoi, por zbuluan, të zhveshur, se çfarë jemi bërë. Ose, më saktë: – çfarë kemi lejuar të bëhemi!

Të fitosh një herë mund të jetë sukses. Të fitosh dy herë, ndoshta inerci. Por të fitosh katër herë radhazi? Nuk është më rastësi. Është regjim i instaluar.

Në këtë pikë, nuk flasim më për popullaritet apo vizion, por për mekanzimat pushtetit -si fitohet, si mbahet dhe si përjetësohet ai. Ky mandat i katërt nuk është thjesht një rezultat politik. Është pasqyrë shoqërore që ekspozon gjendjen reale të demokracisë, shëndetin e institucioneve dhe vetëdijen qytetare.

Pushtet i sigurt?

Në një demokraci të shëndetshme, pasiguria nuk është dobësi, por shenjë jete.

Çdo udhëheqës duhet ta fitojë drejtimin me përulësi dhe vetëdije, sepse mund të refuzohet.

Kur një Kryeministër, dy ditë para zgjedhjeve, thotë:

“Do të iki kur të dua,” dhe përsëri del fitues, problemi nuk është më arroganca, por mosndëshkimi sistematik.

Ajo deklaratë nuk bëhet kot.

Ajo bëhet vetëm kur institucionet që duhet ta frenojnë pushtetin- gjykatat, media, opozita, shoqëria civile – janë të kapura, të heshtura , ose të frikësuara.

Në një mjedis të tillë, askush nuk guxon, ose nuk ndihet i aftë të thotë:

” Ju, nuk mund të flisni kështu.”

Dhe kur askush nuk kundërshton, fjala e tij, bëhet realitet.

E pra, ky besim nuk vjen nga legjitimiteti demokratik, por nga kontrolli mbi informacionin, debatin publik dhe vetë pritshmëritë.

Ne tashmë kemi provën se zgjedhjet nuk janë më gara, por rituale konfirmimi, ku rezultati paraprin votën dhe pushteti rimerret me siguri të plotë e pa ankth.

Dobësia e Institucioneve

Bashkimi de facto i partisë me shtetin, ka turbulluar kufijtë e demokracisë.

Kreu i partisë bëhet edhe kreu i qeverisë. Pa asnjë rezistencë.

Kur e njëjta dorë kontrollon:

institucionet administrative,

burimet publike

organet mbikëqyrëse,

pluralizmi venitet dhe institucionet që duhet ta frenojnë pushtetin, e përqafojnë atë.

Justifikimi: ‘’Nuk ka kush e zëvendëson”, nuk është besim. Është mungese alternativash!

Jo sepse udhëheqësi frymëzon, por sepse nuk ka më askënd përballë.

Heshtja nuk është gjithmonë miratim

Pavarësisht:

ekspozimeve publike për korrupsionin, fjalorit të papranueshëm ‘bordello’ për partinë e vet, përçmimit të hapur ndaj qytetarëve dhe institucioneve, nuk pati asnjë pasojë reale politike.

Përkundrazi. Fitore triumfale. Por kjo nuk do të thotë se njerëzit janë domosdoshmërisht dakord. Pjesëmarrja ka rënë nga 46.32% (2o21) në 42.16% këtë vit. Këta nuk janë shenja indiference. Janë shenja dëshpërimi.

Momentin më i rrezikshëm për një demokratike nuk është revolta. Është kur qytetarët dorëzohen në heshtje. Kur nuk besojnë më. Kur nuk marrin pjesë. Heshtja nuk është paqe. Është shenjë e shterimit të shpresës.

Rindërtim Demokratik apo Vazhdimësi e Menaxhuar?

Demokracia nuk është thjesht votimi periodik. Është ndryshim pushteti, konkurrencë reale, llogaridhënie. Kur këto mungojnë, kemi vetëm vazhdimësi të menaxhuar: një sistem që duket demokratik, por nuk është.

Çdo fitore e pakontestuar ushqen një rreth vicioz:

Opozita dobësohet dhe humbet besueshmërinë;

Debati publik zëvendësohet nga një zë i vetëm;

Qytetarët humbin besimin dhe tërhiqen nga pjesëmarrja;

Fitorja përsëritet pa vështirësi;

Dhe gjithçka paraqiten si legjitimitet demokratik!

E vërteta?

Kur mungon konkurrenca dhe zëri kritik, legjitimiteti është vetëm formal. Aaspak pasqyrim i vullnetit qytetar.

A është kjo një fitore?

Përtej fitores zgjedhore, kjo është humbja e ndërgjegjes publike.

Dhe më e dhimbshmja?

Heshtja. Jo heshtja e të paditurve. Heshtja e atyre që dine. Ata që dinë dhe heshtin, nuk janë të pafajshëm.

Ata janë bashkëfajtorë. Sepse kur e vërteta nuk thuhet nga ata që kanë njohuri dhe zë — a nuk është kjo një formë e rafinuar, e miratimit? Në heshtjet e llogaritura, elita nuk qëndron jashtë krimit. Ajo bëhet pjesë e tij.

Ku janë akademikët?

Ku është Akademia e Shkencave? Uuniversitetet? Profesionistët?

A nuk e shohin çfarë po ndodh?

Apo zgjedhin të mos shohin?

Nuk jam e alarmuar.

Jam e kthjellët dhe tani e di: Situata është serioze. Nëse vetëdija tingëllon si britmë në terr, është sepse jetojmë realisht në errësirë dhe pretendojmë se është dritë.

Mesazhe shpirtërore për kohët tona

Tri fe, një mesazh:

Krishti në kryq: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” (Luka 23:34, Bibla Shqip)

Kurani paralajmëron: “Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për Xhehennem. Ata nuk kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (Kurani, Surja Al-A’raf 7:179, përkthimi i Sherif Ahmetit)

Shën Pali shkroi: “Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët.” (2 Timoteut 4:3, Bibla Shqip)

Por sot, më dhimbshëm se këto paralajmërime është sjellja e atyre që e shpallin veten besimtarë, por në vend të drejtësisë dhe frymës së fesë, përqafojnë strukturat politike me adhurim të vebër.

Ne nuk qeverisemi vetëm nga parti të vjetra, por nga zakone të vjetra të menduari.

Partitë e reja shpesh janë fraksione të të njëjtit trung, të veshura si opozitë, por rrënjosur në të njëjtën tokë të kompromisit.

Ku janë zërat e rinj?

Ku janë ata që guxojnë të thonë:

Se sistemi është i sëmurë?

Se problemi nuk është vetëm tek individët, por tek struktura?

Se ndryshimi nuk është vetëm protest, por rindërtim?

Kjo është përgjegjësia jonë. E të gjithëve: E qytetarëve, intelektualëve, pedagogëve, studentëve, punëtorëve e bujqve të thjeshtë – çdo shqiptari që dashuron të ardhmen e këtij vendi.

Mandati i katërt nuk është thjesht një mandat.

Është pasqyrë. Është thirrje -për reflektim të përgjegjshëm dhe veprim të guximshëm. Nëse heshtim sërish, do mbetemi peng i një cikli që nuk përmban shpresë. Nëse duam ndryshim, duhet të nisim me veten, me ndërgjegjen tonë kolektive dhe me përkushtimin për të vepruar. Nuk është vonë, por koha ka ritmin e saj.

Artikulli paraprakI love Lura
Artikulli tjetërGjermania dhe aleatët e BE-së gati me një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë! Synojnë të ushtrojnë presion ndaj Putinit për armëpushimin në Ukrainë