Mandija: Asnjë tolerancë, kush shkel ligjin, largohet

Në një intervistë për ABC News zv.kryeministrja Ledina Mandija, deklaroi se si drejtuese e Task-Forcës kërkon bashkëpunim edhe nga ministrat jo teknikë, pasi deri tani aktivë janë vetëm ministrat e rinj. Ajo hodhi poshtë pretendimet për pezullime e shkarkime selektive, duke theksuar se kush verifikohet në shkelje të ligjit ka të njëjtin fat, i cilësdo forcë politike qoftë.
-A keni pasur bashkëpunim me institucione qoftë edhe për koordinimin e këtyre të dhënave që juve kërkoni dhe që vijnë nga burime të ndryshme?
Ministrat nuk janë aty për të marrë informacion kush nga punonjësit shkon në fushatë, ministrat janë aty për të ushtruar funksionin e  tyre kushtetues, si ministra në radhë të parë, në veçanti gjatë kësaj periudhe për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të marrë informacione për administratën e përfshirë në fushatën elektorale, për të marrë informacione në lidhje me logjistikën e përdorur dhe vënë në dispozicion të subjekteve elektorale gjatë fushatës zgjedhore, por janë aty edhe për të verifikuar raste të privilegjeve të dhëna për subjekte të caktuara, të cilat në procedura tenderuese, prokurimesh, koncesionesh kanë rezultuar të suksesshëm dhe tashmë mund të ketë informacione që këto subjekte janë të involvuar për të mbështetur subjekte të caktuara politike ose i kanë mbështetur paraprakisht ato. Ministrat janë aty edhe për të verifikuar burimin e parasë që vjen nga veprimtaria e paligjshme kriminale, drogës e trafiqeve.

-Këtu bëhet fjalë edhe për ministri që nuk  ka ministra teknikë?
Informacioni kërkohet nga të gjitha institucionet dhe çdo ministri ka pikën e kontaktit mbledh informacionin, e konsolidon dhe me pas, ia kalon Sekretariatit Teknik. Informacioni, i cili është kërkuar në mbledhjen e parë ka të bëjë pikërisht edhe referuar informacioneve paraprake që ne kemi dhe që e dëmtojnë procesin. Si psh., kur është shpenzuar paraja publike, duhet të dihet programi analitik dhe cili është buxheti faktik deri më sot, sidomos në referim të përdorimit të mjeteve të karburanteve, gjë e cila vjen edhe në përputhje me Urdhrin e Kryeministrit të datës 11 maj. Unë kam kërkuar informacion nga të gjitha institucionet se si është zbatuar urdhri i Kryeministrit dhe cilat masa janë marrë nga ana e titullarëve të institucioneve. Kjo do të thotë që, qeveria teknike ose ministrat teknik të përfolur për shkarkime nuk ishin ato të vetmit që kishin detyrimin për të monitoruar këtë proces. Detyrimi ishte për të gjithë titullarët e institucioneve, sepse që me datën 11 maj, Kryeministri Rama i kishte kërkuar që të merrni masat për të respektuar kuadrin ligjor në fuqi.

-Ju po thoni që pjesë efektive në këtë drejtim janë vetëm ministrat teknik?
Të paktën nga informacione që kam deri tani, sepse unë po pres informacione. Data e fundit ka qenë dita e djeshme, sepse mbi bazën e atij informacioni do të realizohet edhe mbledhja e dytë për të bërë të ditur se ku do të orientohet rekomandimi për ministrat në vijim. Unë kam informacione se nga ministrat teknik janë bërë shkarkime të tilla. Di një rast të ministres Ekonomi, që ka bërë shkarkimin e drejtorit të Postës, por nuk jam në dijeni të rasteve të tjera të shkarkimeve deri më tani. Kryesisht pezullime dhe shkarkime janë bërë nga ministri i Drejtësisë, ministri i Arsimit, ministri i Shëndetësisë. Në këto kushte, kuptohet që kuadri ligjor do të zbatohet nga të gjithë ministrat e institucionet. Unë i bëj thirrje gjithë ministrive, drejtuesve të institucioneve që të bashkëpunojnë fuqishëm për të zbatuar ato detyra të lëna nga Task–Forca për të sjellë informacion në kohën e duhur, sepse në qoftë se informacioni nuk do të vijë në kohën e duhur do të dëmtohet edhe puna e Taks-Forcës për të vazhduar më tej dhe për ta bërë edhe më transparent procesin, i cili po vijon.

-A kemi raste të kandidatëve për deputetë që vazhdojnë të punojnë ?
Është bërë një thirrje në fillim që kandidatët për deputetët duhet të largoheshin. Është një detyrimin e Kodit Zgjedhor, gjithashtu edhe Ligji Për Nëpunësin Civil e parashikon statusin e personave, të cilët janë kandidat për deputet. Këtë thirrje e ka bërë edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

-Kemi rastin e Sekretares se Përgjithshme tek Ministria e Drejtësisë psh.?
Rasti i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë ka kohë që po verifikohet. Ministri i Drejtësisë ka qenë brenda kuadrit ligjor gjatë gjithë periudhës, ka kërkuar informacion tek KQZ në lidhje me zonjën Hoxha dhe i është sjellë informacioni që ajo është kandidate e PS-së.
Pra, rezulton që zonja Hoxha të ketë dhënë dorëheqjen, por dorëheqja është realizuar pas afatit të parashikuar nga ligji dhe në këto  kushte nuk merret në konsideratë nga ana e KQZ-së.  Verifikimi i bërë qoftë nga KQZ, qoftë nga DAP ka rezultuar se zonja Hoxha vazhdon të jetë kandidate. Në këto kushte ligji parashikon që të pezullohet.
Proceduara e ndjekur nga DAP ka qenë e ngadaltë dhe e zvarritur. Kuptohet qëllimi është se duhet të ketë operativitet dhe ministri i Drejtësisë ka reaguar, duke ushtruar të gjitha funksionet e tij Kushtetuese për ta pezulluar këtë person nga pozicioni që mban si Sekretare e Përgjithshme referuar edhe ligjit në fuqi, ku një kandidate nuk mund të jetë në ushtrim të funksioneve publike.

(Marrë me shkurtime nga Abc News)

Exit mobile version