Task Forca për monitorimin dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të çojë përballë ligjit këdo që përpiqet të cenojë procesin apo ta minojë. Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës lëshoi një deklaratë ku sqaron rolin e kësaj njësie në procesin zgjedhor. Prej dy javësh, Task Forca ka referuar me dhjetëra raste ku punonjës të administratës publike e veçanërisht punonjës në poste të lartë drejtues janë shkarkuar nga detyra për shkak të përfshirjes së tyre në fushatë elektorale, ndërsa masa të tjera janë marrë në çdo rast ku është konstatuar cenimi i procesit zgjedhor. Mandija thotë se Task Forca nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, Mandija shprehet se synimi është nxitja. Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës sqaron se, Task Forca në zbatim të VKM Nr. 473, datë 1.06.2017, ka për qëllim koordinimin e procesit të monitorimit të sjelljes së administratës shtetërore apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017. Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake. Task Forca ka në përbërjen e saj ministrin e Punëve të Brendshme; ministrin e Mbrojtjes; ministrin e Financave; ministrin e Arsimit dhe Sportit; ministrin e Drejtësisë; ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin; ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore; sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave; drejtorin e Departamentit të Administratës Publike; drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave. Mbledhjet e Task Forcës janë të hapura dhe transparente. Në to marrin pjesë: komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil; Avokati i Popullit; përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme; përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në mbledhjet e Task Forcës ftohen të marrin pjesë edhe përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në rastet kur gjykohet e nevojshme marrja e asistencës teknike lidhur me çështje të procesit zgjedhor. Ministritë dhe organet e tyre të varësisë janë institucione kompetente, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë shtetërore, të cilat duhet të ndjekin administrativisht dhe pa vonesa çdo referim/kallëzim nga qytetarë apo punonjës ose zyrtarë të ndryshëm, si dhe sipas rastit të referojnë në Prokurori rastet kur ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale që kanë lidhje me zgjedhjet. Zëvendëskryeministrja Mandija siguron opinionin publik se është dhe do të jetë e vendosur për të përmbushur deri në fund misionin për garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm dhe nuk do të intimidohet nga asnjë lloj presioni në ushtrimin e detyrës së saj.
Pjesëmarrje në fushatë, shkarkohet drejtoresha e LSI e Postës së Lezhës
Të tjera shkarkime vijnë nga radhët e LSI në postet drejtuese të institucioneve. Në qytetin e Lezhës është shkarkuar drejtoresha e Postës, Alma Jaku, e cila i përket forcës politike të LSI. Vendimi është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Postës, sipas të cilit Jaku ishte pjesëmarrëse aktive në fushatën e LSI. Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.