Mandija: Prokuroria të nisë procedurat ndaj deputetit të LSI e drejtorit të spitalit

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka reaguar mbrëmë për rastin e denoncuar të “korrupsionit pasiv” ndaj deputetit të LSI-së, Gledion Rehovica dhe drejtorit të Spitalit Rajonal të Beratit, Idlir Frashëri.
“Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bazë të një denoncimi ka filluar procedimin penal ndaj drejtorit të Spitalit Rajonal të Beratit, i cili në bashkëpunim me disa punonjës të këtij spitali dhe me një deputet të zonës kanë arritur të konsumojnë veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje si dhe përdorimit të funksioneve publike në veprimtari politike ose zgjedhore të parashikuara nga neni 328 dhe 328/a të Kodit Penal të ndryshuar.
Në këto kushte unë i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të marrë të gjitha masat për të ndjekur procedurat sipas ligjit dhe për të arritur në një konkluzion përfundimtar në lidhje me procedurat e filluara dhe të iniciuara nga ana e Sektorit të Hetimit dhe Korrupsionit”, bën të ditur Zëvendëskryeministrja Mandija.
Drejtori Rajonal i Spitalit të Beratit, Idlir Frashëri dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gledion Rehovica janë vënë nën hetim nga policia, pasi me disa punonjës të tjerë të këtij spitali, akuzohen për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Sipas Policisë së Shtetit, “shtetasi me iniciale I.F. (Idlir Frashëri) dhe deputeti G.R, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik në veprimtari politike ose zgjedhore”.

Exit mobile version