NGA ADRI NURELLARI
Funksionalizimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK-ut) dhe nisja e hetimeve e proceseve gjyqësore për nivelet më të larta qeverisëse, përfshirë ish-presidentë, ishkryeministra, ish-ministra dhe kryetarë bashkish paralajmëron një cunami të madh që po trondit themelet e elitës politike. Gjithë kjo që po ndodh në Shqipëri të kujton menjëherë Mani Pulite (Duart e Pastra) e Italisë së para tre dekadave. Bëhet fjalë për hetimin gjigant të viteve 1992-‘94, për korrupsion dhe lidhjet me mafien, i cili shkatërroi sistemin e vjetër politik italian dhe i hapi rrugën një klase të re politike. Hetimet dhe ndjekjet penale që pasuan zbulimin e skandaleve çuan në arrestimin dhe dënimin e qindra personave, duke përfshirë ish-krerë qeverie, ministra dhe drejtues të partive politike italiane. Ndër protagonistët e hetimeve, ishin liderë që dominonin jetën politike italiane për një kohë të gjatë si: Bettino Craxi, ish-kryeministër dhe lider i Partisë Socialiste Italiane; Arnaldo Forlani, ish-kryeministër dhe lider i Partisë Demokristiane si dhe Giulio Andreotti, po ashtu disa herë drejtues i ekzekutivit dhe figura qendrore e Partisë Demokristiane. Si pasojë e këtij skandali, sistemi tradicional i partive politike në Itali u shemb, duke i hapur rrugën lindjes së forcave të reja politike dhe rikonfigurimit rrënjësor të skenës politike italiane. Modeli i Italisë ka ngjashmëri të madhe me kërcënimin që po sfidon kastën politike të kalcifikuar shqiptare, e cila ngelet e kontrolluar nga triumvirati Rama, Berisha dhe Meta. Të tre këta liderë u shfaqën në jetën publike në dhjetorin e vitit 1990 dhe prej atëherë kanë alternuar postet kryesore politike të vendit me njëri-tjetrin, duke qenë figura politike dominuese për më shumë se tri dekada.
Rasti i Italisë është më flagranti për sa i përket përmbysjes së elitës së korruptuar politike prej dorës së hekurt të drejtësisë, por ka edhe raste të tjera nëpër botë. Një tjetër rast i njohur ka qenë skandali i korrupsionit në Malajzi me fondin shtetëror 1MDB, ku miliarda dollarë u zhdukën përmes korrupsionit nga qeveria e Najib Razak. Si rezultat i proceseve gjyqësore, bashkë me Razakub u rrëzua koalicioni Barisan që ai drejtonte, i cili kishte qeverisur për gati 61 vjet vendin. Një tjetër rast ishin hetimet kundër korrupsionit në Korenë e Jugut që çuan në burg presidenten Park Geun-hye për korrupsion dhe abuzim të pushtetit. Kjo ngjarje e vitit 2017 shkaktoi një ndryshim të madh në konjukturën politike duke sjellë Moon Jae-in si president. Gjithashtu zbulimi i Panama Papers në vitin 2016 ekspozoi në skema korruptive disa politikanë të lartë islandezë, duke përfshirë kryeministrin, ministrin e Brendshëm e të Financave. Skandali nxiti protesta të shumta dhe dorëheqjen e qeverisë dhe çoi në zgjedhje të parakohshme që e ndryshuan thellë realitetin politik të Islandës.
Për sa i përket SPAK-ut, që po vepron si lokomotiva e këtij ndryshimi të madh që po ndodh në Shqipëri, duhet theksuar se nuk është gjë e rrallë që një strukturë e veçantë antikorrupsion, të sjellë ndryshime radikale. Agjencia e parë e autonome qeveritare e specializuar kundër korrupsionit është Byroja e Hetimeve të Praktikave Korruptive (CPIB) e Singaporit e themeluar për herë të parë në vitin 1952. Malajzia ndoqi shembullin e Singaporit duke formuar Agjencinë Kundër Korrupsionit (ACA) në 1967 dhe mandej vijoi Hong Kongu duke themeluar në 1974 Komisionin e Pavarur Kundër Korrupsionit (ICAC). Efikasiteti i këtyre agjencive të posaçme kundër korrupsionit ishin shkaktare vendimtare për hovin e zhvillimit ekonomik, që patën këta “tigra të azisë” dhe bënë që modeli i tyre të huazohej e aplikohej në shumë vende.
Në rajonin tonë, institucionet më të ngjashme më SPAK-un janë Zyra për Shtypjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Ured za suzbijanje korupcije i organiziranog kriminaliteta USKOK) në Kroaci dhe Drejtoria Kundër Korrupsionit (Direcia Naionala Anticorupie DNA) në Rumani. USKOK-u themelua në dhjetor 2001 dhe luajti një rol vendimtar në përmbushjen e standardeve të zbatimit të ligjit që mundësuan hyrjen e Kroacisë në Bashkim Evropian. Kjo agjenci njihet si një nga agjencitë më të forta kundër korrupsionit në botë dhe deri një vit para hyrjes në BE kishte ndjekur 2,000 individë me një normë të suksesshme dënimi prej 95% të të akuzuarve duke përfshirë aty ish-Kryeministrin Ivo Sanader. Po ashtu, gjatë më shumë se dy dekadave të ekzistencës Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion e Rumanisë ka dërguar në gjyq 15,000 persona, përfshirë 1,000 policë, 400 kryebashkiakë, 160 gjyqtarë, 60 ministra si dhe dy kryeministra, Viktor Pontën dhe Adrian Nastasen.
Spastrimi që po i bën SPAK-u moçalit të politikës shqiptare, po ndihmohet e përshpejtohet nga hetimet në shtetet e BE-së kundër bandave kriminale shqiptare të lidhura me politikanët këtu. Avancimi i hetimeve të Europol, Eurojust e vendeve partnere ndaj krimit shqiptar dhe lidhjeve të tyre politike, po bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë se kurrë më parë sot, falë deshifrimit të kriptofonëve ‘Sky ECC’ dhe ‘EncroChat’, ku shqipja del se është gjuha dytë më e përdorur pas anglishtes. Këtu vlen të vihet në dukje se shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin e dytë të burgosurve ekstra-komunitarë në Bashkimin Evropian, pas marokenëve (por në vend të parë nëse llogaritet për kokë banori). Në Britani të Madhe fatkeqësisht zëmë vendin e parë. Këto përmasa të përfshirjes në krim shpjegojnë edhe përmasat e bumit të industrisë së ndërtimit në Shqipëri gjatë këtyre viteve që reflektohet qoftë në sasinë e ndërtimeve të reja e qoftë në rritjen e çmimeve. Në vitin 2022, industria e ndërtimit përbënte 11.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë, shifra më e lartë në krahasim me çdo vend tjetër në Europë dhe Azinë Qendrore. Kjo tendencë është veçanërisht e dukshme në kryeqytet, ku në vitin 2022 u lëshua një numër rekord lejesh për ndërtime banimi, që arrinin në rreth 1.8 milionë metra katrorë. Për rrjedhojë, goditja masive ndaj krimit shqiptar nëpër botë, jo vetëm që do të ekspozojë më tutje politikanët e kriminalizuar, por edhe do të shkaktojë tërmet tek fluska e ndërtimit që ushqehet me paratë e krimit e korrupsionit.
Si përfundim, zhvillimet e fundit në Shqipëri, me SPAK-un në krye të luftës kundër korrupsionit, japin shpresa për një ndryshim rrënjësor në skenën politike. Shembulli i ngjashëm i fqinjëve italian, por edhe rastet e tjera, tregojnë se drejtësia mund të jetë me të vërtetë një forcë e fuqishme dhe efikase për të rrëzuar kastat e korruptuara të cilët kanë bllokuar qarkullimin e elitave. Fakti që mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të liruar të dënuarit e SPAK-ut lë të kuptohet se asnjë parti nuk e ka në kontroll këtë institucion.
Ndërsa SPAK-u vazhdon punën e tij, dhe po ashtu institucionet ligjzbatuese të BE-së e vendeve partnere godasin rrjetet kriminale ndërkombëtare shqiptare të lidhura me politikën, po shtohet pritshmëria për një transformim të thellë të peizazhit politik shqiptar. Kjo valë e re e drejtësisë që po na ndodh brenda e jashtë vendit, mund të na çojë jo vetëm në spastrimin e politikës, por edhe në goditjen e ekonomisë kriminale, duke përfshirë edhe industrinë e ndërtimit, e cila ka lulëzuar në sajë të parave të pista. Nëse SPAK-u arrin të ruajë pavarësinë dhe vendosmërinë e tij dhe hetimet ndërkombëtare vazhdojnë me intensitet, ne do të përjetojmë fillimin e një epokë të re për Shqipërinë, e një etape të re historike me elita politike të rifreskuara që më në fund do e çojnë vendin drejt anëtarësimit në BE.