Nga Vladimir Karaj
Dhjetra punonjës të Pastrim-Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës dhe makina trasporti të bashkisë u angazhuan për orë të tëra në rreshtimin e rreth 7 mijë karrigeve në një pjesë të Sheshit Skënderbej, ku kryeministri Edi Rama mësohet të ketë thirrur administratën e bashkisë në një manifestim.
Arsyet e organizimit nuk janë bërë të ditura as nga Bashkia e Tiranës dhe as nga Kryeministria, por ky manifestim thirret dhjetë ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit e pastrimit të parave.
Ndërkohë, organizata të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet dhe sjelljet e partive politike në fushatë akuzuan shumicën se po shkelte Kodin Zgjedhor. Organizata “Qëndresa Qytetare” i bëri po të enjten kërkesë Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit për të ndaluar aktivitetin e Kryeminsitrit me nënpunësit e bashkisë Tiranë.
“Në kushtet kur veprimtaria e cituar më sipër, sipas të dhënave që disponojmë deri më tani ndonëse prezantohet si një veprimtari me karakter publik, që organizohet nga Kryeministri dhe që zhvillohet në periudhën katër mujore të parashikuar nga Kodi Zgjedhor nuk është raportuar në KQZ, de fakto përbën shkelje zgjedhore. Në këto kushte, Qëndresa Qytetare i ka bërë kërkesë zyrtare KQZ-së që të mos lejojë organizimin e këtij takimi që është hapur keqpërdorim i administratës”, thuhet në kërkesë.
Rigels Xhemollari nga Qendresa Qytetare i tha BIRN se në komunikim me KQZ ishte mësuar se aktiviteti ishte prezantuar si aktivitet kulturor, por shton se palët ishin sërish në shkelje pasi edhe në këtë rast duhej të ishte njoftuar KQZ pesë ditë para zhvillimit.
Të pyetur nga BIRN, kryeministria dhe Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesave për qëndrim dhe as sqaruan objektin e aktivitetit./ Me shkurtime nga BIRN