Nga ambientet e selisë së Kuvendit, një nga negociatorët e emëruar për të përfunduar me sukses mbylljen e marrëveshjes për reformën në drejtësi, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani pohoi se roli i tyre ishte për të mbyllur gjërat pezull. Sipas Manjanit, ditën e hënë u diskutua mbi propozimin hidrid, propozimi i Nuland. Ai theksoi më tej se negociatat kanë qenë dypalëshe, PD-PS, ndërsa të hënë u arrit mbyllja me konsensus për çështjen e Vettingut. “Grupi negociator u krijua nga tryeza e kryetarëve të partive politike dhe jo nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar. Që do të thotë se në qoftë se do të kishim një raport për t’ia dhënë dikujt do t’ia jepnim kryetarëve të partive dhe jo kryetarit të komisionit, që mos kemi asnjë keqkuptim. Së dyti ne kemi biseduar për më shumë se sa gjysmën e natës ditën e hënë për çështje që kishin ngelur pezull në lidhje me propozimin “hibrid” të znj. Nulland. Ju e dini që kjo ishte një çështje që kishte të bënte me rolin e monitoruesve ndërkombëtar në procesin e vetingut, sigurisht duke marrë të mirëqenë se çështjet e tjera ishin të zgjidhura. Megjithatë unë e konfirmoj atë që tha pak më parë z. Bylykbashi që kam qenë unë që e hapa këtë çështje për ta diskutuar, qoftë edhe për kuriozitetin tim për të kuptuar realisht se si ishte rënë dakord. Sepse duhet t’ju them se kanë qenë negociata dypalëshe. Pra kanë qenë pra PD dhe PS. Ka qenë kryesisht z. Agaçi dhe z. Bylykbashi që janë marrë me këtë çështje dhe që të dy më konfirmuar se ishin marrë vesh për këtë histori. Dhe kjo është një gjë që ne sigurisht mund ta përfshinim në protokollin e këtyre çështjeve që ramë dakord në atë mbledhje, por për shkak se mbledhja u ndërpre krejt papritur, ne nuk kishim se si ta përfundonim atë. Dhe realisht nga ajo mbledhje ka mbetur vetëm dy çështje të cilat u plotësuan sot nga letra e z. Hahn. Dhe mendoj që bashkë me z. Hahn, konkluzionet që ne kemi rënë dakord ditën e hënë çështja quhej e zgjidhur sipas meje, sipas nesh. Megjithatë komunikimi im i fundit me ju ka qenë dje në drekë dhe që dje në drekë dhe deri në këtë moment unë po pres që negociatorët të mblidhen. Nuk kemi pasur ndonjë reagim për të thënë të vërtetën nga asnjë grupim, as nga partitë tjera, as nga ekspertët ndërkombëtar” u shpreh Manjani.