Manjani: Kolegji të vendosë lirisht

Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ndërhyrë sot në debatin lidhur me kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste për ç`regjistrimin e partive, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Denar Biba pretendon se PAA nuk ka të drejtë të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor, pasi nuk është e regjistruar si subjekt në zgjedhjet parlamentare. Por Manjani si jurist i njohur, ka një tjetër këndvështrim. “Për hir të Zotit, lëreni Kolegjin të vendosë lirisht, pa spiunë e pa ndërhyrje! Ligjet aty i patët dhe i zbatuat si deshët! Tani flet gjykata!”, shkruan ai në rrjetet sociale. Opozita ka ankimuar të mërkurrën në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ për regjistrimin e listave për kandidatë në zgjedhjet e 18 qershorit. Ankimimi është bërë në emër të Partisë Agrare Ambientaliste, me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe të të gjitha partive të tjera opozitare. Sipas relacionit bashkangjitur kërkesës PAA argumenton se është shkelur neni 67 i Kodit Zgjedhor që parashikon se “partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve”. Ky afat regjistrimi ka përfunduar më datë 28 prill, por KQZ pranoi listat e subjekteve, 15 të tilla më datë 29 pra në ditën e 49 të saj, duke përjashtuar ditën e zgjedhjeve.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPaloka: Më 13 maj, protesta më e madhe që ka njohur rajoni