Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ka bërë thirrje që të gjithë të mblidhen me opozitën në çadrën e lirisë. Duke i dhënë të drejtë akademikut të njohur Artan Fuga, manjani shprehet se shqiptarët duhet të zgjedhin, dhe jo thjeshtë të votojnë “Ka të drejtë Prof. Fuga! Në çadrën e lirisë dhe të zgjedhjeve të lira të gjithë duhet të rrimë! Shqiptarët duhet të zgjedhin, jo të votojnë!” është postimi i Manjanit në rrjetet sociale. Në fakt Manjani nuk është i vetmi që ka shprehur të njëjtin mendim dhe gatishmëri për bashkimin me kauzën e opozitës, tek ajo që tashmë ka marrë emrin “çadra e lirisë”. Gazetarë, akademikë, mjekë, ish-të përndjekur dhe njerëz të të gjitha fushave i janë bashkuar kauzës së opozitës. Ish-ministri Manjani, deri vonë ka qenë në hierarkinë më të lartë qeverisëse dhe jo pak herë ka folur për rrezikun që i kanoset vendit nga kjo qeverisje. Ishte ai që denoncoi ndërhyrjet arrogante të Ramës në sistemin e drejtësisë me kërcënime ndaj gjyqtarëve. Ishte ai që denoncoi dhe lidhjet e Klement Balilit me ministrat e Ramës. Ylli Manjani, jo në pak raste ka denoncuar me reagimet e tij dhe deformimin e Reformës në Drejtësisë, si dhe të procesit të Vettingut. Thirrja e një ish-anëtari tjetër të qeverisë për tju bashkuar kauzës së opozitës, tregon dhe një herë se ndodhemi përpara një skenari të manipulimit dhe deformimit masiv të votës për të mbajtur në pushtet një qeverisje, e cila dita-ditës po shfaq qëllimet e saj të vërteta se përse e kërkoi dhe kërkon ta mbajë pushtetin me çdo kusht.