Manxukiç rinovon me Juventusin

Mario Manxukiç dhe Juventusi do të vazhdojnë së bashku… Sulmuesi kroat ka rinovuar zyrtarisht dje kontratën e tij deri në vitin 2020. Lajmi është konfirmuar dje nga vetë faqja e klubit bardhezi, me anë të një komunikate zyrtare. “I fortë, zemërgjerë, këmbëngulës dhe gati për të mos i lejuar asnjë centimetër kundërshtarit deri në sekondën e fundit të ndeshjes, madje… deri në fund.
Është kjo panorama e Mario Manxukiç, sulmuesit që me teknikën, eksperiencën e tij dhe shpirtin e sakrificës ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në 84 prezencat e tij, që nga vera e vitit 2015 e deri më sot, në udhëheqjen e Juventusit te dopieta titullkupë e tretë radhazi, përveçse tek arritja në finalen e Champions-it, në Kardif.
Mario është një nga simbolet e kësaj skuadre dhe do të vazhdojë të jetë ende për një kohë të gjatë. Sulmuesi kroat ka nënshkruar rinovimin e kontratës me Juventusin deri në vitin 2020, duke zgjatur për një tjetër vit akordin e mëparshëm”, thuhej në komunikate.
Ky rinovim kontrate nga ana e Mario Manxukiçit me Juventusin është një “asist” i rëndësishëm për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. Ky i fundit ka tërhequr vëmendjen e klubit turk të Beshiktashit, ndonëse ëndrra e madhe e skuadrës nga Stambolli ishte pikërisht 30-vjeçari kroat, të cilit i ofruan 30 milionë euro në total për katër vitet e ardhshme.
Por, pasi ai refuzoi dhe zgjati marrëveshjen e tij me Juven, tani Cikalleshit i hapen të gjitha rrugët që të transferohet te Beshiktashi, i cili i ka bërë tashmë një ofertë zyrtare faraonike 26-vjeçarit nga Kavaja: 1 milion dollarë në vit, për të paktën katër sezone. Tani që ëndrra Manxukiç ka sfumuar, Beshiktashi dhe Cikalleshi janë gati të hedhin të zezën mbi të bardhë.

Artikulli paraprakMilani i ri merr formë
Artikulli tjetërRuni jashtë Kombëtares