Maqedonasit mbrojnë Prokurorinë Speciale

Sinisa Jakov Marusic

Aktivistët i kanë bërë thirrje maqedonasve të protestojnë në Shkup të hënën në orën 5 të pasdites në mbrojtje të Prokurorisë Speciale, SJO – që sipas tyre po njolloset dhe sulmohet nga qeveria dhe media nën kontrollin e partisë qeverisëse VMRO-DPMNE.
Institucioni, i formuar vitin e shkuar si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të ndërmjetësuar për të investiguar korrupsionin e nivelit të lartë, ka pasur përplasje të vazhdueshme me partinë në pushtet.
“SJO sërish ka nevojë për mbështetjen tonë”, thotë slogani i protestës i shpërndarë në profilin e Facebook të lëvizjes.
“Ne nuk duhet të lejojmë regjimin të mendojë as për një çast se këtij institucioni i mungon mbështetja e fortë, e bashkuar dhe e vendosur e qytetarëve!”.
Në një aksion natën e të dielës, në përgatitje të protestës, aktivistët ngjyrosën pjesë të fasadës së Gjykatës Penale të Shkupit me ngjyra të hapura.
Aksioni u projektua për të theksuar pretendimin se gjykata është ende e kontrolluar nga qeveria dhe po pengonte SJO-në nga funksionimi siç duhet.
“Nga shumë kërkesa për burgosje të të dyshuarve të kërkuar nga SJO, Gjykata Penale ka miratuar vetëm një. Nga ana tjetër, nga viti 2012 deri më 2014, gjykata miratoi 707 nga 717 kërkesa për paraburgim nga Prokuroria e zakonshme”, tha lëvizja.
Protesta e të hënës vjen pas një debati të gjatë dhe të nxehur në Parlament rreth raportit më të fundit gjashtëmujor të SJO, që deputetët nga partia VMRO-DPMNE kanë akuzuar kryeprokuroren speciale Katica Janeva për paaftësi dhe kanë refuzuar kërkesat e saj kryesore.
Ajo, në këmbim, i është përgjigjur akuzave ndaj saj nga deputetët me zemërim.
“Më keni mbajtur këtu për tre ditë me qëllim dhe nuk po më lini të punoj. Për tre ditë, jam ulur këtu dhe i jam përgjigjur të njëjtave pyetje”, i tha Janeva deputetit të VMRO-DPMNE, Krste Mukoski të premten pasi sugjeroi se ajo nuk ishte e përshtatshme për të drejtuar SJO.
“Ju më keni mbajtur këtu me qëllim që të mos mund të punoj”, shtoi ajo.
Janeva i ka kërkuar Parlamentit të zgjasë afatin përfundimtar të qershorit 2017 të SJO për të investiguar të gjitha çështjet dhe akuzat e shtypit, duke thënë se pengesat ia kanë bërë të nevojshme kohën shtesë.
Ajo kërkoi gjithashtu ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, që sipas saj do të përmirësojnë sigurinë e dëshmitarëve – që do të mbartin barrën kryesore në disa hetime.
Megjithatë, ish-Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, mes zyrtarëve të tjerë të partisë nën hetimin e SJO, i ka refuzuar kërkesat, duke thënë se ata kanë bërë mjaftueshëm për t’i lehtësuar punën SJO-së.
“Kemi siguruar gjithçka që ishte e nevojshme – një buxhet, para, punonjës, zyra dhe logjistikë. Të gjitha ligjet u ndryshuan, bashkë me opozitën dhe nuk shohim nevojë për asnjë përmirësim apo marrëveshje të re”, tha Gruevski të dielën.
Më 15 shtator, SJO ngriti akuzat e para në dy çështje. Zv.prokurorja speciale, Fatime Fetai tha se një aktakuzë lidhej me shkatërrimin e dokumenteve të lidhura me pajisjen e përdorur për përgjimet e paligjshme.
Aktakuza e dytë e ngritur nga SJO, lidhet me pretendimet se qeveria orkestroi sulme të dhunshme në komunën e drejtuar nga opozita në Centar në qershor 2013.
Revolucioni Shumëngjyrësh filloi me protestat e 12 prillit, pasi Presidenti Gjorge Ivanov përdori të drejtën e tij presidenciale për të falur zyrtarët që po hetoheshin nga Prokuroria Speciale, bashkë me partnerët e tyre. Ai më vonë i tërhoqi faljet e tij nën presionin e vendasve dhe ndërkombëtarëve.

Exit mobile version