Parlamenti i Maqedonisë miratoi qeverinë e re kalimtare, e cila ka për detyrë ta çojë vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 11 dhjetor. Në qeveri teknike, bëjnë pjesë edhe dy ministra dhe tre zëvendësministra të Lidhjes Social Demokrate të opozitës. Oliver Spasovski është ministër i ri i Punëve të Brendshme dhe Frosina Remenski, ministre e Çështjeve Sociale. Kryeministri Emil Dimitriev tha në Parlament se pret nga të gjithë pjesëtarët e kabinetit që të punojnë me përkushtim, përgjegjësi dhe me ndërgjegje. Formimi i qeverisë dhe caktimi me anë të konsensusit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve shikohen si shenjat e para të zgjidhjes së krizës politike që e kishte përfshirë Maqedoninë që nga fillimi i vitit të kaluar me publikimin nga opozita të skandalit të përgjimeve. Por, edhe pse për këtë qëllim u formua Prokuroria e Posaçme, megjithatë ende asnjë rast nuk ka marrë epilog gjyqësor. Partitë kryesore dhe komuniteti ndërkombëtar presin një proces të drejtë dhe të besueshëm të zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Vendimi i të mërkurës në mbrëmje i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohëshme, është përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar. Bisedimet e gjata ndërmjet drejtuesve politik rezultuan në fund me pëlqimin e tyre që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përmes një komunikate të përbashkët u bëjnë thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë procesin zgjedhor, që t’u mundësojnë qytetarëve të zgjedhin lirshëm, ndërsa pas zgjedhjeve të formojnë qeverinë, e cila do të merrej me reforma thelbësore dhe që do të punonte në interes të të gjithë qytetarëve. Mogherini dhe Hahn theksojnë mbështetjen e tyre të vazhdueshme për gjithë procesin për ta ndihmuar vendin që të kthehet në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Edhe ambasadori amerikan Jess Baily, i cili që nga fillimi i këtyre bisedimeve para më shumë se një viti ka qenë ndërmjetës për arritjen e një zgjidhjeje, thekson se është me rëndësi të jashtëzakonshme që partitë, mjetet e informimit dhe vetë qytetarët të bashkëveprojnë në lidhje me përparimin e vendit. “Vendimet duhet ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të besueshme, drejt reformave që do të rezultonin me integrimet euro-atlantike”, tha ambasadori amerikan. “Në fund, ajo që është më e rëndësishme, është opinioni i vetë qytetarëve të këtij vendi, se a u besojnë këtyre zgjedhjeve, a do të sjellin ato rezultat të drejtë, sa janë plotësuar kriteret, kjo është çështje para së gjithash e qytetarëve të këtij vendi”, tha ambasadori Baily. Ai shtoi se mjetet e informimit kanë një rol të rëndësishëm në informinin e drejtë të qytetarëve, ndërsa i bëri thirrje medias që “të bëjë gjithçka që është e mundur për të njoftuar mbi çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, për personalitetin e kandidatëve që do të garojnë për ta drejtuar vendin”. Ndërkohë, edhe katër drejtuesit politik presin një proces të drejtë, ndonëse midis Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit vazhdon të mbizotërojë mosbesimi.