Maqedoni, Prokurorja Speciale pengohet të hetojë aferën e përgjimeve

Prokurorja Speciale Publike e Maqedonisë, Katica Janeva, me ekipin e saj, për të tretën ditë me radhë është duke qëndruar në Drejtorinë Për Siguri dhe Kundërzbulim me vendim të gjykatës për të marrë nga policia sekrete dokumentacionin lidhur me rastet e përgjimeve nga viti 2008 deri më vitin 2015. Por, këto të dhëna, u tha se nuk mund t’i dorëzohen Prokurorisë Speciale Publike për arsye se personat e vetëm të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të cilët kanë qasje në sistemin elektronik për regjistrimin e bisedave, për momentin ndodhen jashtë shtetit.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se janë shumë evidente obstruksionet që i bëhen Prokurorisë Speciale nga ana e institucioneve të shtetit, madje edhe atëherë kur me ligj parashihen sanksione për persona juridik të cilët refuzojnë të zbatojnë urdhrin gjyqësorë. “Personi juridik ose bartësi I institucionit nuk guxon të refuzojë një vendim të plotfuqishëm të gjykatës të cilin është i detyruar ta zbatojë. Dhe në situata të këtilla, nëse personi juridik si bartës i institucionit refuzon ta zbatojë vendimin e gjyqit, atëherë në bazë të ligjit parashihet dënim me para si dhe dënim deri në 3 vite burg. Kjo çështje është e rregulluar në mënyrë shumë të qartë në kodin penal të Maqedonisë”,thotë Mersim Maksuti, njohës i çështjeve juridike.
Gjatë ditës së djeshme prokurorja, Lence Ristevska në një konferencë për media tha se të dhënat që kërkohen nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim janë të një rëndësi të veçantë, sepse pikërisht nga to do të mësohet se cilat numra kanë qenë lëndë e përgjimeve. Prokurorja Ristivska ka konfirmuar se nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me Drejtorin për Siguri dhe Kundërzbulim për tu zbatuar urdhrin që ka dhënë gjykata.
Ndërkohë, Mersel Billalli analist politik duke komentuar rezistencën që po bën Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale thotë se kjo paraqet një tregues të qartë se persona të caktuar kanë uzurpuar institucionin e policisë sekrete prej ku dhe buron kriza e thellë politiko-shoqërore dhe juridiko-penale në të cilën ndodhet Maqedonia. “Në një shtet normal nuk ka organ i cili i bën rezistencë vendimit të gjykatës për veprime të caktuara. Kjo tregon se praktikisht institucionet e pushtetit janë të uzurpuara nga ana e personave të caktuar të nëntokës, kualifikim tjetër nuk ka”thotë Mersel Billalli.

Artikulli paraprakNeymar, te Barça deri më 2021
Artikulli tjetërCarrasco, pas golave vjen rinovimi me klauzolë 100 mln euro