Fushata elektorale në Maqedoni, që mbyllet të premten (09.12) karakterizohet prej akuzave të rënda mes partive politike e nuk mungojnë as tonet nacionaliste. Në mitingjet elektorale kryetari i VMRO-së, Nikolla Gruevski, fjalimet e tij i përqendron në akuzat drejtuar kreut të opozitës, Zoran Zaev. Gruevski thotë, se në rast të fitores së Zaevit, Maqedonia do të ndahet si shtet, gjuha shqipe do të bëhet zyrtare, e me këtë, sipas tij, do të rrënohet karakteri i shtetit unik. Lideri i opozitës Zoran Zaev, kësaj retorike të Gruevskit i është përgjigjur me vendosmërinë e tij për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e inkriminuar. Analistët për çështje ndëretnike thonë, se retorika e tillë nacionaliste është si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë. “Është evidente që partitë çdo herë gjatë cikleve zgjedhore paraqiten me retorikë nacionaliste. Si duket, partitë ende nuk kanë kuptuar se vota apo fitorja në zgjedhje nuk mund të arrihet me nxitje të tilla nacionaliste, që tanimë janë të lexuara nga populli dhe si të tilla nuk kalojnë”, thotë Vllado Dimovski, drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndërentike.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, fton elektoratin që të dalin në votime dhe të mbështesin VMRO DPMNE-në, për të fituar 63 deputetë, si mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të ruajtur rendin kushtetues në Maqedoni, pasi, sipas tij, LSDM-ja pretendon të kundërtën. Zgjedhjet e 11 dhjetorit Gruevski i cilëson si referendum për shtet unik dhe të unifikuar, kundër dygjuhësisë dhe ripërcaktimit të shtetit. “Kushtetuta garanton, se Maqedonia është shtet unitar. Kushtetuta e garanton që maqedonishtja është gjuha e vetme zyrtare në të gjithë territorin e republikës. Është interesi ynë që maqedonishtja të mbetet gjuha e vetme zyrtare. Dygjuhësia që Zoran Zaev ia premton shqiptarëve nuk është dygjuhësi vetëm në vendbanimet shqiptare, por në tërë teritorin e vendit”, shprehet Gruevski.
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi se në këto zgjedhje do të fitojnë qytetarët. Ai ftoi qytetarët të votojnë pa frikë dhe të lajmërojnë nëse dikush i kërcënon, apo u kërkon t’ua blejë votën.
“Në Maqedoni do të vlejë për të gjithë njëlloj ligji, ata që kanë bërë vepra kriminale dhe korrupsion do të japin llogari. Maqedonia nuk mund të vazhdojë me të pavërteta dhe gënjeshtra, ju premtoj se e gjithë e vërteta do të zbardhet deri në fund. Nuk mund të jemi shtet e të mos e dimë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, të mos e dimë se kush i vrau katër djemtë e rinj në liqenin e Smillkovës, nuk mund të presim të jemi shtet si ato europiane, e të mos zbulohet e gjithë e vërteta e Lagjes së Trimave. Nuk mund të jemi të armiqësuar edhe me Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kosovën e Serbinë. Këtu diçka kundërmon, diçka nuk është në rregull”, deklaron kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Partitë politike parlamentare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare, fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 dhjetorit e kanë vazhduar me premtimet për avancimin dhe mbylljen e çështjeve të pazgjidhura shqiptare. Në mitingjet elektorale drejtuesit e BDI-së kanë thënë, se në pushtetin e ardhshëm të gjitha vendimet do të merren me konsensus.
E sotmja ka shumë dallim nga e kaluara, shqiptarët tanimë ndihen të sigurt në vendin e tyre, gëzojnë të drejta të shumta, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, shqiptarët duhet të unifikohen dhe mos ta përçajnë votën, çdo votë që do të jepet për partitë oponente do të shkojë në dëm të shqiptarëve dhe do të defaktorizojë shqiptarët e Maqedonisë. “BDI është vlerë kombëtare dhe kjo vlerë duhet ruajtur e trashëguar nga brezat që vijnë, pasi në këtë parti militojnë njerëz, të cilët kanë dhënë shumë për këtë vend. Unë nuk ndjej asnjë shqetësim dhe frikësim, se dikush mund të sfidojë BDI-në, pasi fitorja më datën 11 dhjetor është e padiskutueshme”, ka deklaruar Ali Ahmeti.
Kreu i PDSH-së, Mendu Thaçi u zotua se do të angazhohet për të realizuar të gjitha të drejtat politike të shqiptarëve si dhe për të ndërprerë diskriminimin ekonomik. PDSH zotohet, se do të miratojë dy ligje për amnisti. Amnisti për të burgosurit në raste të pretenduara si raste të montuara dhe amnisti, apo falja e të gjitha borxheve që kanë shqiptarët ndaj shtetit.
“Ne e kemi ligjin për amnisti fisklale, me të cilin do t’i falim të gjitha borxhet që kanë shqiptarët ndaj shtetit. Shqiptarët do të fillojnë të paguajnë borxhe ndaj shtetit atëherë kur ky shtet do t’u jepë shqiptarëve borxhin e madh. Një miliard e shtatëqind milionë euro të buxhetit të shtetit duhet të vijnë te shqiptarët. Ligji i dytë për amnisti, që do të sillet është zbrazja e burgjeve që janë të mbushura me shqiptarë”, thotë Thaqi.
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, tha se me ardhjen e tyre në pushtet, ky shtet do të ridefinohet si një shtet i barabartë si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. “25 vite politika na mashtroi, politika na uli dinjitetin tonë shiptar dhe ne nuk kemi kohë për të pritur. Prandaj ne ju garantojmë se të gjitha ato projekte, të cilat janë nevojë immediate do të realizohen. Vërtetë që këta shkatërruan gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët dhe shqiptarinë, shkatërruan arsimin tonë, shkatërruan shëndetësinë shkatërruan ekonominë, kësaj gjendjeje do t’i themi stop më 11 dhjetor”, është shprehur Kasami.
Aleanca për shqiptarët vlerëson, se kriza politike dhe shkatërrimi i ekonomisë, janë pasojë e qeverisjes së gabuar nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. “Unë dhe të gjithë shqiptarët po të themi se t’i i dogje 153.000 vota, që i more në vitin 2014. Ndaj tani çdo votë që shkon për ty dhe BDI-në, është votë e djegur”, sipas Ziadin Sela kryetar i LR-PDSH-së. Sipas tij, institucioni që bën shqiptarët të barabartë në gjitha sferat, si në drejtësi, buxhet, zyrtarizim të gjuhës shqipe është institucioni i votës së lirë.