Maqedonia sfidon kombëtaren kuqezi me 4 futbollistë shqiptarë. Trajneri i përfaqësues maqedonase Igor Angelovski shpalli listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat eliminatore të muajit shtator, duelin ndaj Izraelit që do të luajë në transfertë në datën 2 shtator dhe përballjen ndaj Shqipërisë në Strumicë në 5 shtator. Edhe pse janë 4 futbollistët me origjinë shqiptare që janë grumbulluar nga numri 1 i stolit të Maqedonisë, bie në sy mungesa e sulmuesit të Shkëndijës, Besart Ibraimi, i cili ka shkëlqyer me kuqezinjtë tetovarë në ndeshjet kualifikuese të Europa League, por kjo nuk ka mjaftuar që 30-vjeçari me origjinë shqiptare të jetë pjesë e grumbullimit të rradhës. 4 shqiptarët e përzgjedhur janë kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani, mesfushori me tipare sulmuese i Leeds United, Ezgjan Alioski, i cili ishte autori i golit të vetëm të Maqedonisë në sfidën ndaj Shqipërisë në “Loro Boriçi” që përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve, mbrojtësi i Vardarit të Shkupit, Visar Musliu si dhe talenti i Levantes, Enis Bardhi. Nga Shkëndija e Tetovës, trajneri Angelovski ka thirrur në ekipin përfaqësues edhe talentin Marjan Radeski, ndërkohë që pjesë e duleve ndaj Izarealit dhe Shqipërisë do të jenë edhe lojtarë të tjerë me peshë në repartin e avancuar si Goran Pandev si dhe dyshja e Palermos, Nestorovski e Trajkovski.
Shkëndija fiton derbin me Shkupin
Shkëndija e Tetovës rikthehet te fitorja. Kuqezinjtë e teknikut Qatip Osmani, kanë arritur të reagojnë shpejt pas humbjes ndaj Milanit në Europa League, pasi kanë arritur të fitojnë në derbin e dy ekipeve shqiptare, duke mundur Shkupin me rezultatin 3-0, në javën e dytë të kampionatit maqedonas. Një pjesë e parë nga ku nuk u arrit dot të prodhohej asnjë gol, e kundërta ndodhi me fraksionin e dytë të lojës. Ishte Armend Alimi, ai që i mundësoi tetovarëve golin e epërsisë në të 49. Kuqezinjtë shfaqen dominant dhe më kërkues. Vendosmëria e tyre për të gjetur golin e dytë, shpërblehet në minutën e 62, me Besart Ibrahimi që arrin të ndalë topin në fundin e rrjetës. Shkupi tenton të reagojë disi, por pa efikasitet, pasi tetovarët nuk i krijojnë hapësira kundërshtarit. Goli i tretë dhe i sigurisë për Shkëndijen vjen falë Marjan Radeski në të 79. Në derbin e dy ekipeve shqiptare, Shkëndija arrin të sigurojë tre pikë shumë të rëndësishme përballë Shkupit, në javën e dytë të kampionatit maqedonas, çka i siguron atyre qëndrimin në krye të tabelës së klasifikimit me 6 pikë të plota, ndërkohë që Shkupi në të shtatin me vetëm 1 pikë. Kjo është fitorja e dytë për kuqezinjtë tetovarë, pas asaj të siguruar që javën hapëse të kampionatit përballë kampionëve në fuqi të Vardarit.