Në Maqedoni opozita filloi protestat, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Gjorgje Ivanov, pas vendimit të këtij të fundit për të ndërprerë hetimet lidhur me skandalin e përgjimeve. Opozita e ka quajtur vendimin e presidentit një “grusht shteti”.
Presidenti Ivanov u tha gazetarëve të martën në mbrëmje se vendimi i tij synonte t’i jepte fund “agonisë politike në të cilën ndodhej vendi prej një viti” për shkak të skandalit të përgjimeve. Opozita akuzon ish-qeverinë e kryeministrit Gruevski për përgjimin e mbi 20 mijë zyrtarëve dhe ka bërë publike një pjesë të përgjimeve. Vendimi i Presidentit duket se e ka acaruar më tej krizën në këtë vend.
Vendimi i Presidentit Ivanov për të mbyllur hetimet, për një prej skandaleve politike më të rënda të këtij vendi, u kritikua me forcë edhe nga Bashkimi Evropian që e quajti atë një veprim që bie në kundërshtim me shtetin ligjor.
Gjatë një konference për mjetet e informimit Presidenti Ivanov tha se, vendimi i tij është i bazuar në Kushtetutën e vendit dhe se këtë të drejtë do ta përdorte me qëllim të ruajtjes së interesave shtetërore dhe nacionale, por dhe që të ndihmojë për dhënien fund krizës politike, e cila sipas tij, rrezikon ta dëmtojë seriozisht vendin.
Udhëheqësi i opozitës Social Demokrate, Zoran Zaev, që ngriti i pari akuzat e përgjimeve, tha se ky vendim i presidentit do ta çojë vendin në buzë të greminës dhe ai është praktikisht një grusht shteti. Zoti Zaev bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit dhe për fillimin e protestave.
Qindra protestues u mbodhën më pas para selisë së partisë VMRO për të kërkuar dorëheqjen e presidentit. Përmes një deklarate, Komisioneri i BE për marrëdhëniet me vendet që aspirojnë të anëtarësohen, Johannes Hahn u shpreh se një vendim i tillë vë në dyshim besueshmërinë e zgjedhjeve si dhe forcimin e marrëdhënieve me BE dhe NATO-n.
Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës pas skandalit të përgjimit. Skandali do të hetohej nga një prokuror i posaçëm dhe ish-kryeministri Gruevski ra dakort që Maqedonia të zhvillojë zgjedhje të parakohshme, të cilat janë planifikuar për në qershor.
Parlamenti i vendit u shpërnda javën e kaluar, por opozita theksoi se do t’i bojkotojë zgjedhjet, pasi nuk janë përmbushur kushtet për të cilat u ra dakort në marrëveshje që zgjedhjet të jenë të lira e të drejta.
Presidenti Ivanov është aleat i ish-kryeministrit Gruevski, i cili e mbështeti atë të zgjidhej në këtë post.