Sfida ndaj Maqedonisë do të ngrejë siparin e rrugëtimit drejt Botërorit të Rusisë, me ëndrrën kuqezi për të qenë në një tjetër fazë finale. Petku i kuqezinjve ka ndryshuar pas paraqitjes në europianin e Francës, dhe tashmë në sytë e futbollit botëror shihemi ndryshe, si një skuadër për t’u mundur. Për këtë arsye, sfida me Maqedoninë merr një vlerësim të jashtëzakonshëm, pasi është një kundërshtar më inferior në letër dhe mbi të gjitha sfida hapëse e eliminatorëve. Njëzëri kuqezinjtë kërkojnë përqendrim dhe vlerësimin e duhur për kundërshtarin e radhës.
“Shpresoj që të bëjmë një ndeshje, një performancë ashtu si e lamë në Francë, pasi jemi në nivel më të lartë. Kam shumë besim se do të dalim mirë këtë ndeshje dhe të ardhmet. Duhet të luajmë me këmbë në tokë dhe kemi treguar se nëse jemi të bashkuar mund të dalim sa më mirë në këtë ndeshje”, u shpreh Lila. “Jemi të qetë nuk e shohim ndeshjen në aspektin e derbit. Për ne është e rëndësishme të nisim eliminatoret me një fitore, pasi bëhet më e lehtë”, tha Balaj.
“Është sfidë e vështirë, ndeshja e parë është shumë e rëndësishme, pasi të jep moral për vazhdimësinë. Nuk ka ekipe të lehta, pasi duhet impenjim, është ndeshja e parë dhe duhet nisur me fitore”, u shpreh Shehi.
Nëse për Andi Lilën, Bekim Balajn apo dhe Orges Shehin, kjo është një sifdë si gjithë të tjerat nuk është e tillë për mbrojtësin nga Kumanova, Naser Aliji. 22-vjeçari i lindur në viset shqiptare të Maqedonisë e ndjen më shumë këtë 90 minutësh. “Është një ndeshje më e veçantë për mua, do të jemi të fokusuar tek ndeshja. Shpresojmë ta nisim me një fitore dhe jemi gati”, tha Naser Aliji.
Dueli me fqinjët konsiderohet gjithmonë si i veçantë, një derbi që përjetohet ndryshe në fushë dhe jashtë saj. Por ndryshimi në përjetimin e ndeshjeve vihet re menjëherë, pasi si Andi Lila ashtu dhe Orges Shehi shohin përtej këtij 90 minutëshi, duke treguar se rritja e skuadrës kombëtare nuk është një rastësi. “Nuk shoh derbi, sepse si Maqedonia, Italia apo Spanja janë 3 pikë. Do bëjmë detyrën dhe jemi të përqendruar për të marrë 3 pikët dhe shpresoj t’ia dalim”, tha Lila. Ndërsa Shehi tha se, jemi në një grup të vështirë dhe nuk është e lehtë.
Kombëtarja shqiptare ishte ajo që përuroi stadiumin e rinovuar “Loro Boriçi”, aty ku ndaj Maqedonisë do të ketë një mbështetje maksimale. Një impiant i tillë i rinovuar nuk ka kaluar pa prekur edhe futbollistët, të cilët shohin një tjetër hap të madh përpara të futbollit shqiptar. “U befasova nga stadiumi i jashtëzakonshëm. Duke parë që Shkodra është qytet sportdashës dhe do ta mbushin plot për kombëtaren. Por edhe me Vllazninë do ta mbushin mirë. Ishte një stadium si na ka hije, pasi prezantohemi me një stadium cilësor në arenën ndërkombëtare”, tha Lila.
“Ishte hera parë që pashë stadiumin nga afër dhe gjej rastin të falënderoj publikisht Federatën dhe kryeministrin, kanë bërë punë të jashtëzakonshme me stadiumin e Elbasanit dhe Shkodrës. Shpresoj të vazhdojnë me këtë ritëm, pasi nëse kemi kampionat të fortë do të kemi edhe një kombëtare të fortë”, tha Shehi.
Akoma më i fortë është ky emocion për një të shtëpisë, për më tepër që në “Loro Boriçi” ka lënë gjurmë me golat e tij. Bekim Balaj dëshiron të vazhdojë në rrugën e tij, pse jo të dhurojë një tjetër moment emocionues si ai në Aveiro ndaj Portugalisë. “Emocion të kthehem në “Loro Boriçi”, pasi kam kujtime të mira në atë stadium dhe shpresoj të kem kujtime të mira edhe me ekipin kombëtar. Përderisa jam pjesë e kombëtares, shpresoj të jem titullar, por nuk e vendos unë, megjithatë jam gati dhe shpresoj të shënojmë”, tha Bekim Balaj.
Frymën e grupit pas ëndrrës europiane nuk e ka cënuar asgjë, madje as largimet e disa futbollistëve drejt Kosovës. Një nga heronjtë e mbrëmjes së Beogradit, Andi Lila, tregohet i prerë rreth kësaj teme. “Nuk i ndjek rrjetet sociale, por skuadra është shumë e mirë, atyre që ikën i uroj suksese, dhe këtu kanë mbetur më të mirët”, përfundoi Lila.
Vetëm një fitore ndaj Maqedonisë
Nëse në letër, Shqipëria është dukshëm e favorizuar për sfidën e parë eliminatore të Botërorit 2018 kundër Maqedonisë, statistikat i ulin me këmbë në tokë djemtë e De Biasit, pasi historia flet ndryshe. Të hënën në “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e parë zyrtare mes dy kombëtareve që në të shkuarën numërojnë 8 përballje, që të gjitha miqësore. Kuqezinjtë kanë një bilanc dukshëm më negativ në këtë duel, pasi kanë arritur të fitojnë vetëm një herë, ndërsa në 4 përballje numërojnë humbje dhe tre ndeshje janë mbyllur në barazim.
Maqedonia, ndryshe nga Shqipëria nuk është kualifikuar asnjëherë në një eveniment madhor, ndërsa fushatën e fundit eliminatore të Botërorit 2014 e mbylli në vendin e fundit në grup. Takimi i fundit mes dy skuadrave është zhvilluar në muajin nëntor të vitit 2011, ku u regjistrua një barazim pa gola, ndërsa në tre ndeshjet e fundit të zhvilluara në Shqipëri, kuqezinjtë nuk kanë arritur të dalin asnjë herë fitimtarë, duke humbur 1 dhe barazuar 2 takime. Gjithsesi, gjatë viteve të fundit, kombëtarja e vendit fqinjë ka njohur vetëm rënie, pasi nuk njeh fitore në transfertë që prej vitit 2011 dhe që prej asaj periudhe numëron 22 ndeshje pa arritur të dalë me sukses nga transfertat. Përballjen e fundit, Maqedonia e ka zhvilluar në muajin qershor ku u mund me rezultatin 3-1 nga Irani, ndërsa në 6 sfidat e fundit numëron 4 humbje dhe dy fitore.