Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Maradona, nuk mbetet jashtë vëmendjes së mediave pothuajse asnjëherë, qoftë kjo për deklaratat apo për veprimet e tij kontroverse. Por, këtë herë ai e ka fituar këtë vëmendje përmes një intervistë pas ndeshjes së klubit që ai e drejton.
Pasi klubi të cilin ai e menaxhon, Dorados, u mposht nga Juarez në fundjavë, Maradona u mor për një intervistë nga ESPN. Përgjigja e tij në pyetjet e gazetarëve ka bërë që videoja e intervistës të shpërndahet gjithandej në rrjetet sociale, transmeton Gazeta Express.
58-vjeçarit iu bë pyetja: “Diego, duke qenë se tani je këtu në Meksikë, besoj që e keni shikuar ligën MX më shpesh. E keni analizuar më shumë këtë gjë, por edhe ndoshta keni ditur pak për këtë ligë paraprakisht. Çfarë mendoni për ligën MX?”
Maradona duket se u hutua mjaft shumë nga kjo pyetje, pasi që e bëri një pauzë shumë të gjatë, e cila madje i bëri të qeshin dy gazetarët, të cilët po e prisnin përgjigjen e argjentinasit.
Klubi në nivelin e dytë të futbollit në Meksikë, Dorados de Sinaloa, vendosi t’ia japë mundësinë argjentinasin për udhëheqjen e klubit. Maradona e zëvendësoi Francisco Gamez, i cili u shkarkua nga pozita e trajnerit në fillim të këtij muaji.