Maradona “sulmon” Icardin: Tradhtar

Diego Armando Maradona sulmon Mauro Icardin. Ish-legjenda e futbollit argjentinas, në një intervistë lëshon disa fjalë të forta në drejtim të sulmuesit zikaltër. Nuk është hera e parë që “El Pibe De oro” i vendos Icardit epitete negative dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe këtë herë, duke e cilësuar 23-vjeçarin si një njeri të keq. Akuza vjen në lidhje me çështjen e historisë së dashurisë të sulmuesit me ish-bashkëshorten e Maxi Lopez, Wanda Nara e cila sot ndan jetën e saj me numrin 9 të Interit.
“Icardi është një tradhtar dhe për të gjitha mëkatet e tij, ai do të paguajë një ditë. Veprimi i tij ndaj Maxi Lopez është i turpshëm. Shpesh dëgjoj të thuhet për të se është një sulmues i madh. Personalisht nuk e mendoj kështu. Sigurisht që ai shënon gola, por nuk është ndonjë numër i konsiderueshëm për ta cilësuar atë si një bomber. Nëse më duhet të bëj një krahasim, do të marrë si shembull, Batistutën, ai ishtë 10 herë më i mirë se Icardi”, shprehet Maradona.
Më tej Maradona foli dhe për të shkuarën, marrëdhënien e tij me drogën, momentin që hoqi dorë, si dhe personin që e bëri të reflektonte.
“Të gjithë e dimë që droga të vret. Unë jam me fat që sot jam gjallë, sepse hoqa dorë, e kundërta do të ndodhte nëse nuk do të vazhdoja. Ka më shumë se 30 vjet që nuk jam përdorues i asnjë lloj droge. Një ditë vajza ime më tha: -‘Babi ti duhet të jetosh për mua’. Që nga ai moment hoqa dorë. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të vazhdoja jetën time pranë vajzës dhe familjarëve të mi”, tha ai.
Ish-kampioni i botës me kombëtaren e Argjentinës ka pasur një jetë shumë të trazuar, ku përveç drogës dikur ai akuzohej dhe për lidhje me mafian napoletane. Ai dha një përgjigje në lidhje me këto akuza, gjithashtu edhe për mospasjen e mundësisë për të punuar në Itali.
“Dilja natën dhe i takoja këta njerëz. Ata donin të bënin fotografi me mua, personalisht nuk e dija që ata ishin pjesë e kamorrës. Kurrë në jetën timë nuk i kam kërkuar asgjë këtyre njerëzve. E vetmja gjë që ata më dhanë garanci ishte, se asnjërit prej familjarëve të mi nuk do t’i ndodhte gjë. Shpresoj që problemet e mia me shtetin italian të rregullohen, sepse e konsideroj absurde që të mos kem mundësi të bëj asgjë në këtë vend”, ka deklaruar Maradona.

Artikulli paraprakMallkimi i çuditshëm
Artikulli tjetërThiago Silva zhgënjen milanistët