Më 12 mars të vitit 1891 lindi reformatori i arsimit shqiptar, Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953).
Ivanaj ishte një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi, por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptarë i panjohur deri në ditët e sotme. Por cila ishte jeta e Mirash Ivanajt nga rinia e hershme, studimet në Ropër për letërsi filozofi dhe jurisprudencë, shpallja si një nga studentët më të mirë të “La Sapienza”, kthimi në atdhe për të rimëkëmbur arsimin shqiptar, shkëlqimi i gjimnazit të Shkodrës, organizimi prej tij i të parës maturë shtetërore, jeta në Tiranë në vitet ’20-30 dhe propozimi i Ahmet Zogut për ta bërë ministër të Arsimit dhe si e realizoi ai reformën më të rëndësishme që është ndërmarrë në arsimin Shqiptar.
Mirash Ivanaj, lindur në Podgoricë, rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi. Studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy diploma, për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj. Në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja. Në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti. Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare. Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend. Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947. U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpunëtor i angloamerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg.
Historia e rrallë e ministrit të hekurt Mirash Ivanaj, që sfidoi Ahmet Zogun për reformën arsimore e që i preu bursën Enver Hoxhës kur ai ishte në Francë, e që më pas u përball me hakmarrjen e diktatorit…
Më 6 shkurt 1934, i ndërpreu bursën Enver Hoxhës në Francë, kur ky nuk arriti të jepte asnjë provim. Dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Arsimit më 30 gusht 1935. Më 7 prill 1939, u arratis në Greqi e, prej këtej, në Stamboll. Në kërkim të një pune, udhëtoi në Liban, Egjipt dhe Izrael. Në shtator 1945, pasi kishte marrë garanci nga qeveria e re, u kthye në Shqipëri dhe, në nëntor të po këtij viti, filloi punë si mësues. U arrestua më 15 maj 1947, por urdhri zyrtar i arrestit doli dy ditë më vonë. Për rreth një vit iu nënshtrua torturave çnjerëzore. U akuzua se “ka qenë ministër i regjimit të Zogut, ka qenë kryetar i shtetit, është arratisur më 7 prill 1939 duke tradhtuar e duke lënë popullin në mes të rrugëve, ka krijuar komitete kundër pushtetit popullor, është mbajtur në emigracion me fondet e Zogut, pas çlirimit, i udhëzuar nga anglo-amerikanët, u kthye në Shqipëri për të kundërvepruar ndaj pushtetit popullor, ka lidhje me Gjergj Kokoshin si dhe me grupin e deputetëve tradhtarë.” Megjithëse nuk i pranoi akuzat, u dënua me 7 vjet heqje lirie. Në burg u shtrëngua të punonte si përkthyes, duke përkthyer kryesisht literaturë nga fushat e matematikës, filozofisë, historisë, artit ushtarak etj.. Në një takim me Mehmet Shehun dhe Bedri Spahiun në burg deklaroi: “Jam një mendimtar dhe një demokrat që, edhe sikur të kthehesha prapë në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë.”
Vdiq në infermierinë e burgut të Tiranës më 22 shtator 1953, pra 12 ditë përpara se të lirohej. Trupin e tij e përdorën në Fakultetin e Mjekësisë për eksperimente dhe demonstrim të anatomisë njerëzore, sigurisht pa autorizim të lënë prej tij ose familjarëve. Mirash Ivanaj është autor i një përmbledhjeje poetike dhe i një drame. Libri me poezi, ku është autor bashkë me të vëllanë, me titull “Epopeja e njeriut” është shkruar në serbisht dhe është përkthyer në shqip, nga Lazër Radi. Marash Ivanaj ishte veprimtar politik, shkrimtar. Shkollën e mesme e kreu më 1912 në Beograd, studimet e larta për filozofi-letërsi dhe drejtësi në Universitetin e Romës, ku mbrojti dhe dy doktoratat, një në jurisprudencë dhe tjetrën në letërsi. Pas kthimit në Shqipëri më 1923, ndihmoi të kushëririn, Nikollë Ivanajn, për botimin e gazetës së përjavshme “Republika”. Më 1924, u vendos në Podgoricë. Pas kthimit, në dhjetor të po atij viti, filloi punë si drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Nga viti 1932 e në vazhdim, u zgjodh deputet i Kuvendit, kurse më 1933 ministër i Arsimit, post të cilin e mbajti për dy vjet e gjysmë./