E përditshmja spanjolle “Marca” publikon lajmin më të bujshëm të ditës, që pritet të nxehë së tepërmi merkaton verore në futboll. Neymar, sipas saj, kërkon të luajë në krah të Cristiano Ronaldos.
Lajmi duket se ka mbërritur edhe në zonën e bosave të ekipit nga “Santiago Bernabeu”, që po punon me qetësi përpara transferimit të mundshëm të yllit brazilain në gjirin e Realit të Madridit.
Fillimisht mendohej se kalimi mund të realizohej për sezonin 2019-2020, por duket se gjërat po vështirësohen për shkak të divorcit të dukshëm dhe distancimit mes PSG-së dhe Neymarit, i cili u rikthye në Paris në ditët e fundit të rikuperimit nga një dëmtim i rëndë, ndoshta në kohën e duhur për t’u bashkuar edhe me Brazilin për Botërorin e Rusisë.
Drejtuesit e ekipit madrilen kishin dyshime për një “bashkëjetesë” të mundshme, por ish-ylli i Barcelonës e ka shprehur haptazi tashmë dëshirën për të luajtur në krah të fituesit aktual të “Topit të Artë”, i cili është ndoshta në fundin e karrierës së tij, pasi e provoi njëherë të luajturin në krah të Lionel Messit. Gjithashtu, as portugezi nuk ka shprehur ndonjë problem a pakënaqësi nëse do ta kishte Neymarin në krah.