Nga Marçel Hila
(Shkrimi i fundit para zgjedhjeve)
1.
Fjalët e këtij titulli, lexuesi, nëse është pak në moshë, por edhe ai që është i pasionuar pas letërsisë, do t’i gjejë tek libri i Viktori Hygoi “Të mjerët”. Gjeniu i letërsisë franceze i thotë për gjeniun bashkëkombës të tij, Bonapartin, që nuk ishte aspak revolucionar, por një makut i pangopur për toka e pushtet, me ide gjeniale e me sjellje prej tirani. Siç thotë sot një mendimtar modern, vetëm Dostojevskij mund të paralajmëronte ardhjen e Putinit e t’ia shpjegonte botës natyrën e tij, kështu edhe Hygoi diti ta analizonte gjeneralin korsikan sypatrembur, që nuk e merrte gjumi derisa ta bënte krejt Evropën të vetën. E kishte fjalën për topat dhe shpatat e ushtarëve të tij. Meqë ishte tamahqar i madh, donte të kishte nën sundim të gjithë kontinentin, nga Spanja në Urale, e meqë nuk duronte asnjë pushtet rival, i hyri në hy e në shkop krejt oborreve mbretërore e ua lehtësoi punën ndryshimeve që po përgatiteshin në atë kohë. Këtë e thotë Hygoi. Nëse ato pushtete mbretërore e perandorake do të kishin mbetur të paprekura, vala goditëse e re që po përgatitej ngadalë, nga ndryshimet në mendimin dhe revolucionin industrial, nuk do t’i bënte asgjë atyre. Ata do të rezistonin edhe për një kohë tjetër të gjatë. I pamëshirshmi Napoleon i shembi e i rrënoi ato mbretëritë e kalbura, plot imoralitete e shthurje, me padrejtësi e shtypje. Pa dashjen e tij, sepse qe i yshtur vetëm nga lakmia e nga babëzia, e jo nga dëshira për drejtësi, hodhi për tokë atë strukturë gjigande shtetërore multiforme që e kishte ngritur ngadalë e për shekuj koha në Kontinentin Evropë dhe përgatiti terrenin për demokratizim.
Ja tani tek kuptimi i krahasimit. Nuk e kam fjalën tek Lul brava! Se mos mendon kush se dua ta krahasoj me Napoleonin!? Jo, jo, mos kini frikë, se nuk shkoj deri aty. Prite Zot! Nëse unë do ta përmendja atë për ta krahasuar me Napoleonin, do të më vinin teneqen! Do të damkosesha si skizofren, i lënë nga mendtë e çfarë të donin ata. E meritoj. Do të vërshonin nga të gjitha anët tallje e përqeshje për mua e për Lul besëprerin. Por jo, forca goditëse nuk është gjuajta e Lulit, por makutëria, si e Napoleonit, e disa servilëve dashakëqij, e interesaxhinjve të paskrupullt, që ikën dhe e shitën Lul tradhtarin. Në fillim i iku krejt grupi parlamentar. Dëgjuan joshjet dhe thirrjet e Tunduesit të madh. Ai u premtoi atyre se do t’i fuste në listat. “Ikni, ejani këndej, tek unë, jam shumica, jam i fuqishmi. Ju garantoj mandatin. Ai është i dobët, nuk e ndjek askush, i kanë ikur shumë, nuk ka fuqi”. Filluan edhe talljet, përçmimet. Shumë i besuan tunduesit, edhe të mirë, edhe zotërinj. Versucher gjermanisht, ai që nuk epet kurrë, ka gjithmonë një forcë të veten, karizëm joshëse, tundues. Libri i Zbulesës tek kapitulli 12, thotë: “Atëherë u duk një shenjë në qiell: një dragua i madh, i kuq, me shtatë koka e dhjetë brirë e në kokë kishte shtatë diadema. Bishti i dragoit mori me vete një të tretën e yjeve të qiellit e i rrëzoi për tokë!”. Ranë të tjerë, i besuan premtimit se do të përfitonin. Forca joshëse ua hoqi tepelekun. Pastaj u tunduan edhe ca peshq të vegjël, në orët e fundit. Jo për ideal, jooo, por vetëm me shpresën në fitoren e madhe, madhështore, gjigande: se mos do të marrin ndonjë kockë. “Puna është që legjenda ta marrë vesh këtë ardhje tonën e ta mbajë shënim kontributin në rrënimin e Lul besëprerit!”. Ata, plot hare të shpifur, shkuan të jepnin shfaqjen e besnikërisë, si Tango e fundit në Paris, personazhet e tipit të Agron Gjekmarkajt e Gaz B. E dinë se sapo të arrihet triumfi, strategu i madh, dragoi, do t’i emërojë drejtorë, shefa, administratorë, ambasadorë, e kështu me radhë. Në vartësi të kontributeve: sa dhanë në rrënimin e Lul tradhtarit. Do të analizohen të gjithë, një e për nga një, siç u bë me Joridën, që ia mati hezitimin e ia vështirësoi vendosjen në listat. Kështu edhe këta. Do të ketë edhe prej atyre që do t’i caktojë në detyrën shumë fisnike për momentin: likuidatorë të SKAPIT. Punë të mira, me rroga të majme. Garantojnë të ardhura për familjet e tyre. Këto ëndrra janë si fantazmat e ciklit të gravurave të piktorit të famshëm spanjoll Francisko Gojës. Këto shpirtra të këqij i kanë sulmuar. Janë demonët e tundimit, të shoqëruar edhe nga djajtë e interesave që u gumëzhijnë në veshët, i lanë pa gjumë orëve të vona të netëve ëndërrimtare. I sulmojnë në klube, në rrugë, në makinat, në diskutimet. Ah sa forcë kanë këto ide që u bubullojnë në kokat e tyret, të amplifikuara nga premtimet e që i përforcon joshja e dragoit. Forcë tronditëse, si tërmeti. E ata ikën, shkuan, u larguan, si ai djali Plëngprishës që iku vetë, si ai i pasuri që u largua vullnetarisht. Askush nuk i përzuri. Ikën me shpresën që të shtyjnë ditët e jetës në mirëqenie e luks, duke shpresuar për një rrogë të mirë, në një zyrë me pak pushtet. Ikën. Tundimi që vinte nga të mirat e kësaj bote, përzier me dëshirat për rëndësi personale, në sintoni, prodhojnë jone tingujsh e fjalësh në zemër. E ata, si personazhi i librit të Xhek Londnit “Kushtrimi i të parëve”, luftuan disi me veten, bënë hesapet, përjetuan një farë krize, por thirrjeve premtuese të Legjendës e llogarive se ku mund të përfitonin e sa mund të shtinin në dorë, iu përgjigjën pozitivisht. Shkurt, Lul brava, Luli i shitur, Lul besëpreri nuk kishte asgjë t’u ofronte. Elektorati i kishte ikur i gjithi. I ka mbetur vetëm një për qind. “Pasi i ikën kokrrat e mëdha të deputetëve, nuk ia vlen të shpresojmë tek ai!”. U burra, yxhym, i shkuan peshqesh në dorë Bablokut, që po i priste për së largu. Nuk u ka bërë diskutime të holla filozofie e kulture, por premtime llokmash e pushteti. Ai e di se sa vlejnë e ua di dobësitë. Ua këndoi këngën që ai di më mirë ta këndojë e që e di se veshi e tyre e pëlqen shumë. U premtoi shumë. E si çifutëve në shkretëtirë që po vuanin e që Zoti u premtoi një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, edhe këta, tani, vite pa pushtet, pa rroga, pa përfitime, kanë nevojë për këto. Ai ua di hallet. Ja pra thirrja: “ejani tek unë!”. U nisën turravrap aty ku rrjedh ky qumësht e kjo mjaltë. E mbërritën në vendin e mrekullive, si Alice në Ëonderland. Filluan të lëpijnë deklaratat e tyre të mëparshme. Të mohojnë atë që kishin thënë e të bënin llogaritë në realitetin e ri që do të shpërfaqej pas pak. Disa i kishin bërë gabim hesapet. Të tjerët u treguan më të shkathët. Zunë vendet e para. Çfarë peshe do të ketë i mbërrituri i orëve të parafundit Kreshnik Çollaku, më besniku? “Erdhe vonë, duhej të kishe mbërritur më herët. Ik në listë të hapur, rropatu aty!” Po Jorida, që po na shurdhojnë në telefon vajzat delikat e feminile me pyetjet e sondazhit se a do ta votonim? “Gocë Tirone, pse të mos e votoni?” – gjuante ëmbël fjalët folësja e edukuar që shpresonte të merrte një aprovim nga unë. Interesi, ja forca goditëse, që kreu pastrimin e madh të partisë Koalicioni Euroatlantik. Nëse Napoleoni shembi oborret mbretërore, këtu tek ne, lakmitë e makutëritë e pastruan deri në fund anëtarësinë e partisë sonë. Të shihnit mbrëmë atë pak elektorat që mori pjesë në mitingun përmbyllës! Një arenë e mbushur deri ku nuk shkon më, me po kaq njerëz jashtë, që po festonin. Fitoren???? Jooo!!!! Fitore feston vetëm Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Ne po festonim gëzimin se ishim të pastruar, pas shumë kohësh dhune, fyerjesh, ironie, poshtërimesh, sulmesh për marrje të selisë, pazarlleqesh, ndarjesh, akuzash, intrigash, helmesh e përçarjesh, ishin të lirë. Pazarxhinjtë kishin ikur të gjithë. Aty ishin vetëm ata që e dinë se nuk marrin asgjë, se nuk janë aty për poste deputetësh, ministrash, vende pune. Ishim të gëzuar se fusha është e çliruar, pa besprerë e pa të shitur. Një lajm i pashprehur ishte ky: jemi këta që jemi, jemi pak, por jemi pa ata që na shesin e na blejnë, pa ata që bëjnë pazarllëk, pa ata që na vënë në peshore, pa ata që na shtrydhin, na matin, që me syrin kontrollues zhbirojnë se çfarë mund të marrin e sa mund të përfitojnë. Ishin pa ata që bënin be e rrufe se kurrë nuk do të bëheshin deputetet e Sali Berishës, por i shkuan në prehër, t’i shiteshin. Pornografia, fjalë që vjen nga greqishtja e vjetër por-neam = shitem, jam në treg. Ishim pa këta, pa atë që si Karrocieri i madh tek Libri i Pinokut, blinte fëmijët e këqij e i përdorte për synimet e tija. Shkurt fare, ishim të paktë, por me shumë dinjitet. Me të vërtetë, një fitore e madhe. Ajo bërthame vogël është e fortë dhe e shëndoshë. Ky është kumti. Kjo ishte arsyeja e festës dhe e gëzimit. Tani mund të fillojë pjesa e dytë e zhvillimit të ngjarjeve, fuqizimi i Partisë dhe përgatitja e saj si alternativë qeverisëse. Kjo pas pak.
2.
Për ata që kanë pak moshë, si puna e ime, jam 63, e mbajnë mend se në rininë tonë, të kohës së komunizmit, ishte ide sunduese ajo që familjet e mira, ato që u bënë viktima të komunizmit, ato që nxorën njerëz plot dinjitet e vlera, ato ishin pika referimi dhe modele qëndrese. Ato i dëshironim si miq shtëpie, si miq kur i takonim. Ata u kujdesën për formimin tonë, ata krijuan një atmosferë jete, shpirti, shprese, ata mësuan që kurrë të mos aderonim me komunistët, kurrë të mos u besonim atyre, kurrë të mos kishim as më të voglin iluzion në qëllimet e tyre. Edhe pinjojtë që nxorën këto familje, i pamë me nderim të madh. Ishte një inerci respekti, një zgjatim konsiderate, një vazhdimësi besimi.
Por nuk ka më tmerr kur merr vesh se këta, që e dinë se e kanë një farë reputacioni, jo nga vetja e tyre, por nga emri i mirë i dikurshëm i familjeve të tyre, këta, kur e dinë se kanë pak kapital opinioni, si dikush që ka kursime në bankë, këta po e shpërdorojnë këtë pasuri që ua kanë siguruar të tjerët, ata që ishin modeli i qëndresës gjatë kohës së komunizmit. Fatkeqësia më e madhe është se pikërisht këta – fatkeqësisht e çuditërisht – u bënë karikaturat e kësaj rezistencës së familjeve të tyre, e sot, të mbushur me mllefe e me inate, i hipën kalit të revoltës të rrëzonin në fillim Partinë Demokratike duke krijuar parti që ta copëtonin e pastaj duke anatemuar e sulmuar këdo që bën sot si ata. Ata dolën nga një anonimat i fortë dhe e vetmja cilësi që kanë, është se iu turrën asaj force politike që i bëri të njohur, ndërsa sot po i bën të turpëruar. Sa mirë që zgjodhën atë rrugë që u dha pushtet e pastaj të zgërlaqen në një pellg turpi. Ja se çfarë thotë përsëri Viktor Hugoi për aristokracinë angleze: le ta falënderojmë e le ta varrosim, ndërsa ne po i themi, po falënderojmë paraardhësit tuaj dhe ju po ju lëmë lamtumirën, juve, zgjatimi i atyre familjeve që abuzuat me emrin e tyre.
3
Këta makutët tanë, që kryen në partinë tonë rolin e Napoleonit, janë të gjithë personazhe si ata të librit të gjeniut të filozofisë ruse, Nikolaj Berdiajev, “Shpirtrat e revolucionit Rus”, askush prej tyre nuk bën një figurë të plotë, askush nuk ngrihet në stadin e një personaliteti bindës, por janë sa merhumë aq edhe agresivë, gjysmë figura, me tipare të deformuara, të pushtuar nga demonët e urrejtjes – thotë Bediajev – e të veseve. Ja pse në këtë rast, për interesat e vogla të tyret dhe nga shpiti tregtar që kanë në brendësi, ngritën krye, u rebeluan, ikën dhe fatmirësisht kryen atë funksion që asnjë udhëheqës nuk do të mund ta bënte: pastruan partinë, pa dashjen e tyre u treguan mirëbërës. Gjë që kurrë nuk do ta bënte Lul brava. Ikën e liruan fushën e betejës. Pamja e mbrëmshme nuk lë pikë dyshimi: interesaxhinjtë ia kanë mbathur. Kanë mbetur vetëm ta që e dinë se nuk fitojnë asgjë, por nuk shiten.
Tani po pritet fitorja e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, ku Gaz Bardhi, që betohej për besnikëri e sakrificë deri në humbje të mandatit, shkon dhe i bën fresk Saliut, ku Agron Gjekmarkaj bën po këtë gjë, ku Gon Duka i krimit bën thirrje të votohet dhunuesi i tij, ku Ilir Metaj, kryeministri terrorist e hajdut, ai që në vitin 2000 i tha Saliut në Tropojë spurdhjak, ka mbetur në dorë të tij e pritet ta nxjerrë nga burgu. Kuku e medet. Jemi si te filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku një grua e fshatit, duke marrë vesh për bëmat e familjes së dhëndrit katërmbëdhjetëvjeçar Gjinos, thotë: “oh sa u gajasëm!”.
4.
Jo më larg se sot, një mik i imi m‘u lut që të mos shkruaja më këso shkrimesh, sepse po dekurajoja demokratët që të mos votojnë madhështorët, domethënë Monikën e Ilirin, Belerin e Dulen, Gon Duken e Kujtim Gjuzin, e nuk po ju mërzis duke i vënë në rresht si ushtarët kur zgjohen në mëngjes në fjetore.
I thashë se këtë nuk mund ta bëj, por nëse shkrimi i im i trazon dhe i vë në krizë, e kanë një mundësi të artë: të votojnë Koalicionin Euroatlantik, si e vetmja forcë e djathtë, konservatore, evropiane.
5
Dhe pak pa e mbyllur. Pat thënë dikush: “bijtë e territ janë më të shkathët se bijtë e dritës!”. Të majtët, ish-komunistët, kriminelët ateistë e të pashpirt, e kuptuan se kur erdhi era e ndryshimeve nuk do të kishin shpëtim në komunizmin e tyre dogmatik ku kaluan gjithë jetën dhe vendosën ta ndryshojnë kursin. Përqafuan menjëherë idetë e pluralizmit politik, fryt të përpjekjeve të politikës moderne evropiane. Sot ata janë tërhequr plotësisht nga qëndrimet e etërve të tyre që luftuan për ateizmin shtetëror, për pengimin e lirisë së lëvizjes duke vënë klon e duke vrarë njerëz në kufi, për mos lejimin e pluralizmit politik me burgosje poltike, për ndalimin e besimit dhe të pronës private, për kontrollin e ideve dhe të kulturës, për … një botë me krime e çmenduri. Janë tërhequr plotësisht. I kanë mohuar të gjitha pikat e dikurshme të programit të tyre revolucionar. Ata erdhën tek ne, nuk shkuam ne tek ata. Bijtë e territ, pragmatistë dhe oportunistë, u treguan shumë të shkathët. U treguan finokë. Ne duam t’ua marrim pushtetin atyre me votë të lirë. Por a jemi gati? Aleanca Për Shqipërinë Madhështore do ta kryejë këtë patjetër me votim të lirë, por me një ekip super të vjetruar, me një amalgamë të neveritshme, me një konglomerat partish pa forcë e pa karizëm, me një kakofoni konceptimesh. Ndërsa bijtë e territ po shkojnë bashkë, të pandarë e shumë të konsoliduar. Duhej zgjedhur tjetër strategji. Kjo nuk është beteja e të djathtëve kundër të majtëve, se nuk ka më programe të majta e të djathta, por beteja e bijve të dritës më bijtë e territ. Por a është e djathta e jonë në tërësi e përbërë nga bijtë e dritës? Në fillim të pluralizmit tonë modern politik patjetër që ishte, për sa kohë ishin shtyllat e vlerave të thirrur në drejtim, por kur puna ka përfunduar tek Beleri, Elvis Roshi, Dule e Kujtim Gjuzi, është për të qarë e për qeshur. Ja pra se bijtë e territ janë të shkathët. E kapën kohën dhe e interpretuan shumë mirë. I ka rënë vetëm halli se u duhet t’i nxjerrin jashtë radhëve të tyre ata që u rrezikojnë votat, se janë kapur në hajni e këtë kanë hall ta zgjidhin, por për tjetër nuk e kanë problem. Ne e dimë se u treguan më finokë dhe duam t’ia marrim, jo ne të djathtët, sepse ata në program janë po kaq të djathtë sa ne, por ata, vazhduesit biologjikë të komunizmit shqiptar, ditën t’i hyjnë në zemër Perëndimit, t’i ulen në gjunjë Melonit e t’ia puthin asaj publikisht faqen pa ndrojtje para gjithë botës, t’i puthin dorën Makronit. Thjesht për t’i bërë hyzmet karriges së tyre. Ndërsa ne, bijtë e dritës, mbajmë për karshillëk ndaj Perëndimit në lojë Nongratën dhe mashtrojmë veten se me të do të fitojmë shumë, do të fitojmë thellë, do të fitojmë në mënyrë të tillë që nuk është parë ndonjëherë. Nuk i puthim faqen askujt dhe nuk i ulemi në gjunjë askujt, por marrim selinë tonë me dhunë, dhe nevojës jetike për ndryshim, i përgjigjemi me po të njëjtat figura të konsumuara e që ndryshken çdo ditë, me Tritan Shehun dhe Ed Palokën, që nuk premtojnë asgjë e nuk garantojnë asgjë, por që demotivojnë e krijojnë neveri. O ju bijtë e dritës, me këta njerëz pretendoni fitoren kundër bijve të territ, që janë zgjuar shumë kohë para jush nga gjumi?
4
Ja tani te argumenti që më pëlqen aq shumë: 1 për qindshi. Ai do të jetë baza, bërthama e një të djathte të re, premtuese, shpresëdhënëse, sapo të mbarojnë këto zgjedhje.
Ka mundësi që Aleanca e Madhështorëve të fitojë. Ka gjithçka në dorë, edhe situatën e brendshme edhe atë ndërkombëtare. Por nëse kjo fitore nuk vjen, nëse nuk do të rezultojë, nuk i kemi ne të Lul Bravës asnjë faj, ne të Lul besëprerit e tradhtarit. Nuk na rendon në ndërgjegje asgjë. Vetëm një shërbim u bëjmë atyre që mund t’i kenë mbetur pak mend në kokë: një mësim që ta shohin realitetin ashtu si është dhe jo me sytë e dëshirave të tyre. Një filozof modern thotë se politikani i vërtetë e sheh situatën me sy të kthjellët e jo me syzet e dëshirave të tij. Ai që përdor këta, është i destinuar të dështojë.
5
Ja pra përgjigja për mikun që kërkon që të mos shkruaj: nëse është kështu, nëse ju mbushet mendja se jeni gabim, votoni Koalicionin Euroatlantik dhe votat nuk shkojnë dëm. Vijnë në drejtimin dhe në thesin e duhur.
Rruga e Madhështorëve është si rruga e lodhshëm dhe e mundimshme e dikurshme, që Magelani e bëri të braktisej e të ndryshonte. Ai i dha njerëzimit një rrugë tjetër, atë të perëndimit, të Amerikës, rrugën e drejtimit nga Oqeani Atlantik. Edhe këtë radhë ne kemi zgjedhur këtë rrugë: Euro Atlantikën që të mbërrijmë qëllimet më të mira për vendin tonë.
I ftoj të gjithë sa më lexojnë të votojnë për Koalicionin tonë Euroatlantik dhe ta bëjnë sa më shumë share këtë shkrim.