Marchetti apo Strakosha për Lazion?!

Ditë vendimtare për fatin e Thomas Strakoshës. Edhe pse Lazio synon t’i rinovojë kontratën për ta blinduar në kryeqytetin italian 22-vjeçarin shqiptar pas një sezoni fantastik, nuk është kontrata që e shqetëson gardianin kuqezi. Ish-numri 1 Federiccho Marchetti kërkon që klubi të qartësojë qëndrimin që ka për të pas një sezoni plot dritëhije për shkak të dëmtimeve të shumta. “Shpresoj që gjatë ditëve të ardhshme të lëvizin ujërat dhe të qartësohet situata”, tekson Marchetti, i cili ndien rrezikun e Strakoshës që ka arritur të bindë me paraqitjet e tij duke vënë në dyshim pozitat e italianit. “Kam ende edhe një vit kontratë, por duhet të presim për të mësuar se si do të shkojnë gjërat”, thekson Marchetti, duke dhënë një sinjal të fortë se kërkon nga klubi të marrë një vendim përfundimtar duke mos përjashtuar as largimin e tij nga Lazio. Në intervistën dhënë për mediat italiane, 34-vjeçari i lindur në Bassano, e pranon se gjatë sezonit të shkuar, problemet fizike nuk e kanë lejuar të jepte maksimumin, por tashmë ai është rikuperuar plotësisht dhe është gati të vihet nën urdhrat e trajnerit Inzaghi. Vendimi që do të marrë klubi dhe trajneri në lidhje me italianin do të lidhet drejtpërdrejtë me fatin e Strakoshës, i cili ka mundësinë e artë për t’u bërë zgjedhja e parë e Lazios në katërkëndësh pasi klubi nuk është vënë në kërkim të një portieri tjetër.

Artikulli paraprakBologna blen lojtarin e Shpresave
Artikulli tjetërMehmedi, Favre e kërkon te Nice