Marine Le Pen nuk do të jetë kurrë presidente

Denis MacShane

Kjo është vetëm një fotografi e shkrepur nga këndi i gabuar. Marine le Pen me krahun e djathtë të shtrirë, dorën e zgjatur në atë që është perceptuar si përshëndetje e denjë për vitet 1930. Nuk ishte faji i saj, ajo nuk është fashiste, vetëm një politikane e së djathtës ekstreme, jeta politike e së cilës e ka shtyrë drejt toneve antiemigracion, antieuropiane dhe antimyslimane.
Por një gjë është e sigurt, ajo nuk do të jetë presidente e Francës dhe nuk është Donald Trump e Francës. Le Pen mund të jetë ndoshta një Hillary Clinton – një politikane femër kompetente që ka një karrierë të gjatë politike, por nuk arrin të tërheqë votuesit përtej besnikëve të partisë së saj.
Marine le Pen tani ndodhet përballë të njëjtit problem me të cilin u përball i ati i saj dhe me të cilin do të përballet edhe mbesa e saj Marion nëse një ditë merr në dorë lidershipin e Frontit Kombëtar në të ardhmen. Ata kanë një elektorat që mund të arrijë deri në 25 për qind të popullsisë franceze, por gjithçka mbyllet me kaq. Votat e saj nuk mund të krahasohen as me elekoratin besnik të Partisë Komuniste franceze 25 vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
Në fakt, me rënien e komunizmit, ndonjëherë duket se votuesit e pakënaqur të ish-komunizmit – punëtorë të inatosur, të papunë, rrogtarë të varfër të sektorit publik apo punëtarët e sektorit të bujqësisë dhe një sërë individësh të shtyrë nga ideologjitë e së shkuarës – duket se kanë kaluar nga komunizmi i dikurshëm drejt Frontit Kombëtar.
Partia Komuniste franceze tregohej raciste dhe e egër me punëtorët europianë që vinin në Francë, antibrukselianë të betuar dhe fajësonin kapitalizmin perëndimor të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara për të gjitha problemet e vendit, të cilin sot e quajmë globalizim. Kjo parti arriti të fitonte disa deputetë në Asamblenë Kombëtare franceze, njëlloj si Fronti në ditët e sotme, madje edhe disa ministra pas vitit 1945 dhe pak pas vitit 1981, por nuk arriti kurrë as t’i afrohej pushtetit të vërtetë.
Të njëjtin fat do të ketë edhe Le Pen. Ajo ka kërcyer nga njëra çështje në tjetrën sa për ta bërë Jeremy Conrbynin të duket si model qëndrueshmërie. Një herë fliste për vendosjen e dënimit me vdekje, tani është kundër tij. Dikur ishte fuqimisht kundër homoseksualëve, por një nga besnikët e saj të mirë është i tillë, ndaj edhe ky qëndrim është lënë në harresë. Ajo kërkonte rivendosjen e menjëhershme të monedhës së vjetër franceze, por të gjitha sondazhet tregojnë se francezët janë tepër të lidhur me euron pasi e bën biznesin me vendet fqinje shumë më të lehtë, ndaj edhe për këtë çështje ndërroi mendim.
Herë pas here ngrihen dyshime për frymë antisemite brenda Partisë së Frontit Kombëtar. Gazetarët dhe kërkuesit në Francë, të cilët kanë analizuar me thellësi raportet e anëtarësisë së Frontit raportojnë se paragjykimet e dikurshme të frymëzuara nga qëndrimi i babait të Marine le Pen dalin ndonjëherë në sipërfaqe edhe pse ajo është përpjekur ta pastrojë figurën e tij dhe të partisë për ta bërë më të pranueshme përballë votuesve.
Ajo duket se ka një lloj admirimi për Putinin, por Kremlini e di shumë mirë që ajo nuk do të bëhet presidente dhe e ka injoruar plotësisht. Marine le Pen nuk është më kandidate e mundshme në garën presidenciale. E vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë situatë është nëse kandidatët e majtë – Benoit Hamon i Partisë Socialiste dhe kandidati i majtë i pavarur Jean-Luc Melanchon  – do të bashkoheshin dhe një prej tyre do të linte garën përpara raundit të parë.
Deklaratat dhe veprimet e Donald Trump që kur ka marrë në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë e kanë dëmtuar shumë pozicionin e nacionalistëve të Europës si Marine le Pen. Edhe pse mund të jenë joshëse dhe ekzotike për gazetarët jashtë Francës, hipotezat se kandidatja e Frontit Kombëtar mund t’i afrohet pushtetit nuk janë gjë tjetër veçse aludime tepër naive. Marine le Pen bën mirë ta mbajë krahun dhe dorën e saj të djathtë të ulur kur përshëndet dhe kur të synojë për t’u ngjitur në pushtet, duhet të përgatitet për humbje.

Artikulli paraprakBallkanizimi i Evropës
Artikulli tjetërNjë muaj pas ardhjes në qeveri e majta ligj pro korrupsionit