Marinela Ziu në Korçë: Koha për të ndëshkuar ata që zbrazën qytetin nga jeta dhe shpresa

Kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Korçës, Marinela Ziu, ka reaguar ndaj situatës demografike në qytet, duke akuzuar drejtuesit lokalë dhe qeverisjen aktuale për zbrazjen e qytetit nga qytetarët. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Ziu solli në vëmendje një slogan të përdorur dikur nga Partia Socialiste dhe drejtuesi i saj politik në zonë, Niko Peleshi: “Korça ku dua të jetoj.”

“Por faktet janë kokëfortë dhe tregojnë të kundërtën,” tha Ziu. Sipas saj, në vitin 2013 qyteti kishte 51,500 banorë rezidentë, ndërsa sot ky numër ka rënë në vetëm 21,000. Kjo do të thotë se në 12 vite, Korça ka humbur afro 60% të popullsisë së saj – një fenomen që ajo e quan alarmant dhe të papranueshëm.

“Arsyeja?” – pyet Ziu. “Një grusht i vogël njerëzish, majtas dhe djathtas, që po i marrin frymën qytetit tonë përmes pazareve politike dhe përqendrimit të parave publike në pak duar. Kjo situatë ka detyruar të rinjtë tanë të largohen dhe të shohin emigracionin si të vetmen zgjidhje.”

Me një thirrje të qartë për ndryshim, Ziu u kërkon qytetarëve të Korçës që të reagojnë në kutitë e votimit më 11 maj:
“Ndëshkoni me votë ata që zbrazën qytetin tonë nga korrupsioni dhe varfëria. Korça meriton më shumë.”

Postimi i plotë:

Para disa vitesh, një nga sloganet e fushatës së Drejtuesit të sotëm Politik të PS, Niko Peleshi, ishte “Korça ku dua të jetoj”, por sot, faktet janë kokëfortë dhe tregojnë të kundërtën.

 

Në vitin 2013, numri i banorëve rezidentë në qytetin e Korçës ishte 51,500, ndërkohë që sot, numri i banorëve rezidentë është 21,000. Pra, për periudhën 2013-2025, nga qyteti i Korçës janë larguar 30,500 banorë. Për 12 vjet, qyteti i Korçës është zbrazur nga gati 60% e qytetarëve të saj.

 

Arsyeja… një grusht i vogël njerëzish, majtas dhe djathtas, që po i marrin frymën qytetit tonë përmes pazareve politike dhe parave publike që ndajmë bashkë, duke përqendruar çdo mundësi në pak duar dhe duke detyruar veçanërisht të rinjtë të shohin largimin si të vetmen zgjidhje.

 

Më 11 maj, ndëshkoni me votë ata që zbrazën qytetin tonë nga korrupsioni dhe varfëria.

 

Korça meriton më shumë

 

️Voto 4️⃣ Koalicioni Euroatlantik

️Voto ✅ Marinela Ziu

Exit mobile version