Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Korçës, Marinela Ziu, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik, ka denoncuar ashpër abuzimet me pushtetin dhe shëndetin publik të kryera, sipas saj, nga ish-zyrtarë të lartë lokalë dhe qendrorë.
Ziu akuzon se qyteti i Korçës është betonizuar dhe degraduar nga keqmenaxhimi dhe babëzia për përfitim personal:
“Njeriu që shkatërroi Korçën e bukur, duke betonizuar edhe mushkërinë e vetme të qytetit; firmëtari i inceneratorëve, që i hapi rrugën financimit të djegësve që po djegin paratë e shqiptarëve; dhe dhjetëra aferave të tjera korruptive, nuk ka kursyer as shëndetin tuaj.”
Denoncimi më i rëndë lidhet me një skandal të dokumentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe media investigative: urdhërimi i zhbllokimit të pesticideve të rrezikshme, të cilat, sipas Ziu, kanë përfunduar në tryezat e qytetarëve pa kontrollin dhe procedurat e duhura ligjore.
“Këto kimikate të rrezikshme janë futur në vend me firmë politike, duke anashkaluar sigurinë e konsumatorëve dhe duke sjellë helmin në tryezat tuaja.”
Në mesazhin e saj politik, Marinela Ziu u bën thirrje qytetarëve që të përdorin votën si mjet ndëshkimi:
“Ndëshkoni me votë ata që, nga babëzia për të vjedhur, nuk kursyen as shëndetin tuaj.”
Ajo shprehet se do të vazhdojë të publikojë fakte dhe dokumente të tjera që lidhin drejtues të caktuar lokalë me afera të rënda që kanë cenuar interesin publik dhe cilësinë e jetës në qytetin e Korçës.
Ziu i bën thirrje qytetarëve që më 11 maj të votojnë për Koalicionin Euroatlantik dhe për të si përfaqësuese e qytetit në Kuvend.
Postimi i plotë i Marinela Ziu në rrjetet sociale:
NDËSHKONI ME VOTË ATA QË, NGA BABËZIA PËR TË VJEDHUR, NUK KURSYEN AS SHËNDETIN TUAJ.
Njeriu që shkatërroi Korçën e bukur, duke betonizuar edhe mushkërinë e vetme të qytetit; firmëtari i inceneratorëve, që i hapi rrugën financimit të djegësve që po djegin paratë e shqiptarëve; dhe dhjetëra aferave të tjera korruptive, të cilat do t’jua faktojmë në ditët në vijim, nuk ka kursyer as shëndetin tuaj, me aferën e pesticideve të rrezikshme — në shpërdorim detyre dhe anashkalim të procedurave ligjore, faktuar kjo nga KLSH dhe mediat investigative — duke urdhëruar me firmën e tij zhbllokimin e kimikateve të rrezikshme dhe duke sjellë helmin në tryezat tuaja.
✅ Voto4️⃣ Koalicioni Euroatlantik
✅ Voto️ Marinela Ziu