Marinela Ziu: “Pronësia, themeli i Shqipërisë Europiane – zgjidhja vjen me Koalicionin Euroatlantik”

Në një deklaratë publike, Marinela Ziu, kandidate për deputete e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Korçës, ka ngritur zërin për një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të pambyllura të tranzicionit shqiptar: pronën. Me një qasje profesionale dhe të drejtpërdrejtë, Ziu kërkon një zgjidhje përfundimtare të problemeve që lidhen me ligjin 7501 dhe mungesën e dokumentacionit për mbi 80% të shqiptarëve.

“Nuk jemi në mesjetë – jemi më keq,” thekson ajo me tone të ashpra, duke kritikuar mungesën e vullnetit politik për ta kthyer pronën tek i zoti. Ajo vë në dukje se ligji famëkeq ka krijuar një dramë të heshtur në çdo familje shqiptare, duke i konsideruar “ish-pronarët” si qytetarë të dorës së dytë dhe duke i privuar nga një e drejtë themelore: prona.

Ziu, e cila ka kryer studimet e saj në të drejtë civile në Universitetin e Tiranës, thekson se çështja e pronës nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një gur themeli për një Shqipëri të zhvilluar dhe të drejtë. Ajo paraqet një plan konkret, të detajuar dhe të realizueshëm për zgjidhjen e kësaj plage të vjetër të shoqërisë shqiptare.

Koalicioni Euroatlantik, thotë ajo, zotohet që brenda dy viteve të para të qeverisjes do ta zgjidhë këtë çështje, duke kthyer pronën aty ku është e mundur fizikisht, dhe duke kompensuar me vlerën e tregut përmes obligacioneve shtetërore në rastet e tjera. Zgjidhja, sipas saj, është çështje vullneti dhe prioriteti – jo mungesë fondesh, pasi vetëm dëmi ekonomik i shkaktuar nga korrupsioni kap vlerën mbi 11 miliardë euro.

Në programin e saj përfshihet:

Konsolidimi i kuadrit ligjor për kthimin dhe kompensimin e pronës;

Krijimi i një databaze kombëtare për vendimet përfundimtare;

Hartë e re e vlerës unike dhe e njëtrajtshme;

Krijimi i një fondi tokash për kompensim fizik nga pasuritë e sekuestruara, të pushtetit vendor dhe nga koncesione korruptive.

Ziu e mbyll deklaratën e saj me një thirrje të qartë për qytetarët: “Nuk ka dhe nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar pa zgjidhur problemin e pronës.” Vetëm kështu, sipas saj, vendi mund të hyjë realisht në rrugën drejt Europës.

Deklarata e plotë e Marinela Ziu, kandidate për deputete në qarkun e Korçës, Koalicioni Euroatlantik:

Gjatë studimeve të mia në Masterin Shkencor për “Të Drejtë Civile” në Universitetin e Tiranës, fokusi im kryesor ka qenë e drejta e pronës, si një nga të drejtat themelore të njeriut.

Ligji famëkeq 7501 ka shkaktuar drejtpërdrejt ose tërthorazi drama të jashtëzakonshme në thuajse çdo familje shqiptare, pikërisht nga shteti, i cili ka për detyrë të mbrojë pronën dhe qytetarët e vet.

Për këtë arsye, jam thelluar më tej në studimet e mija, duke punuar temën e diplomës me titull: “Pronarët e ligjshëm si ish-pronarë. Analizë mbi legjislacionin e kthimit dhe kompensimit të pronës”.

Është e papranueshme që një shtet i së drejtës të ngrihet mbi themele të rënuara, siç ka ndodhur për vite me radhë nga politika shqiptare. Që në fillim, duke i quajtur “ish-pronarë”, shteti jo vetëm i ka diskriminuar pronarët e ligjshëm, por ka krijuar qëllimisht kushte për të mos kthyer pronën tek i zoti.

Kalimi i kohës ka thelluar edhe më tej dramat sociale të lidhura me këtë çështje, por unë besoj fort se me vullnet politik dhe me politika që nuk prodhojnë drama të reja, prona duhet të kthehet aty ku është e mundur, ose të kompensohet drejtësisht në rastet kur kthimi fizik nuk është më i realizueshëm.

Paratë janë — mjafton të mos përfundojnë në xhepa pushtetarësh.

Fatkeqësisht, 80% e shqiptarëve nuk kanë dokumentacionin e pronës. Nuk jemi në mesjetë — jemi më keq.

Mendoj se politikat kundër korrupsionit duhet të ecin paralelisht me politikat e kthimit të pronës te i zoti.

Ne, si forcë e djathtë, besojmë te prona dhe shenjtëria e saj. Mbi të gjitha, besojmë se mbi 80% e pronarëve shqiptarë që sot nuk kanë në dorë letrat e pronave të tyre, janë pengesa më e rëndë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Nuk ka reformë më të rëndësishme për Shqipërinë europiane sesa zgjidhja përfundimtare e pasigurisë së pronës dhe kthimi i saj 100% tek i zoti.

Fatura për kthimin e vlerës së plotë pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist dhe nga ligji 7501 pas rënies së tij është mbi 8 miliardë euro. Dhe kjo është e realizueshme, kur dihet që vetëm sipas KLSH-së, dëmi ekonomik i shkaktuar në vitet e fundit kap vlerën mbi 11 miliardë euro.

Sipas parimit “Uti Possidetis” – “Ashtu siç është”, Koalicioni Euroatlantik zotohet që brenda dy viteve të para të qeverisjes të zgjidhë çështjen e pronës. Kush e ka, do ta gëzojë; kush është penguar ta ketë, do të kompensohet me vlerën e tregut përmes obligacioneve shtetërore.

Dita kur kjo reformë do të përmbyllet është dita e parë e Shqipërisë së zhvilluar. Është dita e parë e shqiptarëve të lirë. Është dita e parë e Shqipërisë europiane.

Në qeverinë e re, ne do të realizojmë:

Konsolidimin e kuadrit ligjor për të dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së pronës;

Krijimin e një databaze për vendimet përfundimtare, sipas Ligjit të Pronës;

Rishikimin e hartës së vlerës, duke e bërë atë unike dhe të njëtrajtshme për të gjitha rastet;

Përcaktimin e saktë të faturës financiare për zbatimin e vendimeve.

Përmes kësaj skeme do të mundësohet:

Kthimi fizik i plotë i pronës;

Kompensimi fizik me një tokë tjetër të barasvlefshme në vlerë;

Konsolidimi i fondit të tokave për kompensim fizik, përmes:

Tokave të kaluara në inventarin e pushtetit vendor;

Pronave të konfiskuara sipas ligjit antimafia;

Pronave që rrjedhin nga kontratat PPP ose koncesione korruptive;

Kompensimit me vlerë tregu për pronat e pakthyeshme, përmes obligacioneve të posaçme shtetërore;

Thjeshtimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar pa zgjidhur problemin e pronës. Vetëm atëherë ekonomia shqiptare do të ecë përpara — më atraktive për investitorët vendas dhe të huaj dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët.

✅ Voto 4️⃣ Koalicioni Euroatlantik

✅ Voto Marinela Ziu

Artikulli paraprakGazetari Poli Hoxha: 50% e votuesve nuk duan as Ramën as Berishën, në Shkodër…
Artikulli tjetërNaim Meta: “Pas 34 vitesh, Shqipëria ka më në fund një alternativë të vërtetë: Koalicionin Euroatlantik”