Mario Mitaj i ka bindur të gjithë në Arabi. Mbrojtësi i Kombëtares me paraqitjet e tij ndeshje pas ndeshje, ka bërë që klubi i Al Itihadit të blejë kartonin e tij përfundimisht.
Kujtojmë se Mitaj është në huazim nga Lokomotiva e Moskës, me të drejtën e blerjes. Për të janë paguar 1.2 milionë euro nga klubi arab për huazimin, ndërkohë “Panorama Sport” mëson se është menduar që klauzola e shitjes që është përcaktuar për tu aktivizuar në muajin maj, të hyjë në lojë që tani.
Al Itihadi është në bisedime me rusët dhe klauzola e blerjes do të aktivizohet këto ditë, për një shumë më të ulët se sa është rënë dakord, teksa zyrtarizimi pritet që të bëhet ditët në vijim. Duke qenë se opsioni i blerjes është në maj, agjenti dhe negociatori mes palëve sugjeroi që shuma të paguhet tani, me kusht që vlera e marrëveshjes të ulet me 15-30 %. Rusët e kanë pranuar diçka të tillë, për shkak të nevojës së tyre financiare. Flitet se për Mitajn, Lokomotiva e Moskës në verën e kaluar ka rënë dakord për ta shitur në një vlerë prej 5 milionë eurosh.
FORMACIONI I JAVËS
Al Itihad triumfoi në ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Al Shabab në sfidën e vlefshme për javën e 16-të të Ligës Arabe. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “King Abdullah Sports City” përfundoi me rezultatin 2-1. Golat për Itihadin u shënuan nga Al Obud dhe Karim Benzema, por Mario Mitaj u shpall “Lojtari i Ndeshjes” nga kompania e njohur e statistikave, “Sofa Score”. Sipas kësaj kompanie, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është vlerësuar me notën e lartë 8.3, më shumë sesa çdo lojtar tjetër në fushën e lojës. Jo vetëm kaq, por nga e njëjta kompani, Mitaj ka zënë një vend në formacionin e javës në ligën arabe. Ky është një sinjal shumë pozitiv përpara kualifikimeve të Kupës së Botës. Mitaj është në qendër të skenës për të disatën herë në Arabinë Saudite, ku është kthyer në një protagonist absolut.