Mark Felt dhe historia e skandalit “Watergate”

Më 31 maj të vitit 2005, 31 vite pas dorëheqjes së Presidentit Richard Nixon, personi kryesor, që në mënyrë anonime i kishte dhënë informacione shtypit mbi skandalin “Watergate”, i njohur me nofkën “Zëri i Thellë”, “Deep Throat” zbuloi identitetin e tij në një artikull të botuar në revistën “Vanity Fair” (“Vanity Fair magazine”).
Veprimi i zotit Mark Felt shtangu gazetarët Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të cilët përmes raportimeve të tyre në gazetën “The Washington Post” çuan në rrëzimin e Presidentit Richard Nixon. Dy gazetarët bënë përpjekje maksimale për të ruajtur identitetin e zotit Felt dhe kishin premtuar ta ruanin sekretin deri në vdekjen e tij.
Megjithëse, emri i tij u përfol në vitet pas dorëheqjes së Presidentit Nixon, Felt vazhdimisht i mohoi njoftimet se ai ishte burimi me nofkën “Deep Throat”.
“Unë kurrë nuk u kam dhënë informacione gazetarëve Woodward dhe Bernstein ose të tjerëve”, shkroi ai në shënimet e tij biografike të vitit 1979.
Në vitin 1999, gjashtë vjet para se të pranonte rolin e tij në rrjedhjen e informacionit rreth skandalit “Watergate”, Felt është cituar të ketë thënë se, “Rrjedhja e informacioneve do të ishte në kundërshtim me përgjegjësitë e mia si një punonjës besnik i FBI-së”. Mark Felt ishte zëvendësdrejtor i FBI-së në kohën kur shpërtheu skandali “Watergate”.
Në disa takime në mesnatë në një vendparkim në qytetin e Arlingtonit në Virxhinia, Felt u ka konfimuar gazetarëve njoftimet që lidhnin ekipin elektoral për rizgjedhjen e Presidentit Nixon me vjedhjet në “Watergate” (selia e atëhershme e Partisë Demokrate) dhe hetimet e paligjshme ndaj Partisë Demokrate.
Ai gjithashtu njoftoi gazetarin Woodward mbi natyrën e thellë të skandalit, duke aluduar se gjurmët e skandalit mund të çonin në nivele të larta të qeverisë, duke përfshirë edhe vetë Presidentin Nixon.
Nixon dha dorëheqjen, duke u bërë presidenti i parë amerikan që bëri një veprim të tillë, ndërkohë që ndaj tij ishin ngritur akuza për pengim të drejtësisë nga Kongresi. Këshilltarët e tij kryesorë, H.R. Haldeman, John Erlichman dhe konsulli i Shtëpisë së Bardhë, John Dean u dënuan me burg për rolin e tyre në skandalin “Watergate”.
Në mesin e zyrtarëve të tjerë të burgosur për rolin e tyre në këtë skandal ishin edhe Prokurori i Përgjithshëm, John Mitchell, anëtarët e personelit të Shtëpisë së Bardhë Howard Hunt dhe G. Gordon Liddy dhe këshilltari special i presidentit, Charles Colson.
Edhe pesë personat që u kapën në selinë e Partisë Demokrate në hotelin “Watergate”, duke vjedhur dokumente, u burgosën nga autoritetet.
Në vitin 1973, gazeta “The Washington Post” fitoi çmimin Pulitzer për mbulimin e ngjarjeve rreth skandalit “Watergate”. Hollivudi, në vitin 1976 realizoi një film të quajtur “All the President’s Men”, (Njerëzit e Presidentit) në të cilin rolet e personazheve kryesorë u luajtën nga aktorët e njohur Robert Redford dhe Dustin Hoffman.

Artikulli paraprakPutin kërkon normalizim të marrëdhënieve me SHBA
Artikulli tjetërVala e terrorit rritet kudo