Mark Rutte u bën thirrje anëtarëve të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes: Rusia nuk është e vetme, ka Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në anën e saj

“Rrisni shpenzimet e mbrojtjes dhe mos përjashtoni kompanitë nga aleatët që nuk janë në BE në përpjekjet tuaja”, ishte mesazhi Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në fjalimin e tij në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian sot në Bruksel.

 

Mark Rutte theksoi rëndësinë që shtetet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre nën kërcënimin e Rusisë, e cila përveç luftës së saj në Ukrainë po “përshkallëzon veprimet e saj destabilizuese”, përmes sulmeve kibernetike, sabotazheve dhe tentativave për vrasje.

“Rusia nuk është e vetme, ajo ka Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut në anën e saj”, shtoi ai.

Vendet e NATO-s duhet të investojnë “në mënyrë të konsiderueshme më shumë” se 2% të PBB-së së tyre në mbrojtje, shtoi ai.

“Administrata Trump ka të drejtë, ne nuk po shpenzojmë mjaftueshëm”, tha ai, ndërsa përsëriti se një objektiv i realizueshëm do të ishte rritja e shpenzimeve në 3% të PBB-së. (Donald Trump ka propozuar një rritje në 5%).

Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se prodhimi i mbrojtjes në Evropë duhet të rritet “në mënyrë të koordinuar” , por pa përjashtuar, përmes këtij procesi, kompanitë nga vendet aleate jashtë BE-së që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

“Në një kohë kur Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po rrisin bashkëpunimin e tyre industrial në mbrojtje në nivele të paprecedentë, do të ishte një akt vetëdëmtimi të ngriheshin barriera të reja midis aleatëve”, shtoi ai.

Në veçanti për Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s përsëriti se duhet të jetë në një pozicion të fortë negociator kur të fillojnë bisedimet e paqes.

Artikulli paraprakShqipëria nën pushtetin e krimit, politikanëve të korruptuar dhe oligarkëve
Artikulli tjetërDrejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli paraqitet në SPAK! Merret në pyetje nga prokurorët e posaçëm për abuzimet me tenderat e rrugëve