Kryetarja e Partisë Demokratike Lezhë, Alfrida Marku, marrëveshjen me Italinë për emigrantët e sheh me shqetësim për opinionin publik dhe në veçanti për banorët e Lezhës.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo deklaroi se nga Kryeministri Edi Rama shqiptarëve iu është komunikuar kjo marrëveshje në errësirë dhe e pa konsultuar.
Sipas saj, nuk merren parasysh mundësitë infrastrukturore, nuk bëhet as një analizë sociale se çfarë efekti do të sjellë kjo marrëveshje në Lezhë.
Në vijim Marku tha se marrëveshja është haptazi në kundërshtim me konventën europiane të të drejtave të njeriut, pasi ky kontigjent emigrantësh që sillen në Shqipëri mund të trajtohen në mënyrë çnjerëzore.
Ka dhe një shkak që lidhet me rendin, sigurinë dhe stabilitetin në vendin tonë. Krimi i organizuar jo vetëm është i shtrirë mbi vendin tonë, por ka pushtet mbi shtetin.
Një nga problematikat është edhe trafikimi i qenieve njerëzore.
Këta emigrantë që do sillen kundër vullnetit të tyre në Shqipëri, përbëjnë kontingjent ndaj të cilëve krimi i organizuar do i shënjestrojë, për t’i trafikuar në shtete të tjera.
Nga ana e bashkisë Lezhë dhe kryebashkiakut, nuk ka asnjë informacion. E vetmja shfaqje e fundit e tij, janë disa komente tallëse dhe fyese.
Pavarësisht se pretendohet se aeroporti i Gjadrit është zonë nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes, e përjashtoj si argument.
Është përpjekje për t’iu shmangur detyrimeve, pasi sjell pasoja të drejtpërdrejta në jetën e banorëve të Lezhës.
Kryetari i bashkisë e pranoi se Kryeministri nuk i ka pyetur. Nën autoritetin e banorëve të Lezhës, kryebashkiaku duhet të kërkonte konsultim publik.
Ka treguar qartë dhe hapur se është shërbëtor i interesave të Kryeministrit dhe jo i interesave të banorëve të Lezhës.
Emigrantët që vijnë nga kjo marrëveshje 36 mijë në vit, nuk do të akomodohen në hotele me 5 yje, por në kampe që rrezikojnë trajtim të papërshtatshëm të tyre deri në çnjerëzor.
Askush nuk është kundër emigrantëve, por jemi kundër marrëveshjeve pa u konsultuar dhe diskutuar në shkelje të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.