Marota në një kundërsulm të frikshëm

Natyrisht që lajmi se Interi ka tentuar një prej objektivave kryesorë të Juventusit ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i “Zonjës së Vjetër”, Xhuzepe Marota, të mos tregojë mëshirë, por është hedhur në një kundërsulm të frikshëm. Duke parë se në korsitë anësore pritet që të lirohen mjaft vende dhe se Huan Kuadrado është nxjerrë në shitje, numri dy i Juventusit është parë dje duke biseduar dhe më pas drekuar me menaxherin e Ivan Perisiçit. Kroati është një dëshirë e vjetër e kampionëve të Italisë, por duke parë faktin se anësori i majtë nuk kërkon më që të luajë në Milano, ata janë hedhur në sulm.
Nuk është vetëm Juventusi në ndjekje të Dagllas Kostës, por për fatin e mirë të bardhezinjve duket se anësori brazilian është i bindur që të veshë fanellën bardhezi nga sezoni i ardhshëm e në vazhdim. Sipas burimeve të “Premium Sport”, ndërsa të gjithë në Torino po mundohen që të mbyllin detajet e fundit dhe të shpejtojnë firmën, vjen lajmi se edhe Interi ka tentuar që t’u vërë stërkëmbëshin kampionëve të Italisë në këtë tratativë. Emisarë të klubit milanez kanë kontaktuar me menaxherët e futbollistit, i cili është i bindur për të mos vazhduar më te Bajerni i Mynihut, por përgjigjja e tyre ka qenë negative. Agjentët e Kostës kanë konfirmuar se me Juventusin marrëveshja është fare pranë dhe gjithçka pritet të mbyllet me sukses. Interi tentoi që ta joshë edhe me disa miliona më shumë, duke i garantuar 6 milionë euro si pagë vjetore (torinezët 5 dhe deri në 2 milionë euro bonuse), por as Dagllas Kosta, por mesa duket edhe Bajerni i Mynihut nuk ka dashur që të hapë asnjë raund tjetër bisedimesh, për t’i qëndruar korrekt paktit dhe punës së bërë prej afro një muaji me lojtarin.
Juventusi rrezikon të humbasë dy lojtarë të rëndësishëm gjatë kësaj merkatoje. Alex Sandro dhe Leonardo Bonucci së fundmi janë bërë objektiv i Contes që dëshiron t’i marrë sa më parë të Chelsea. Për të bindur mbrojtësat, Blutë e Londrës janë gati t’i vendosin në pjatë rreth 70 milionë euro klubit bardhezi.

Exit mobile version