Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit del hapur, Gigio Donnaruma është objektiv i bardhezinjve pas mosmarrëveshjeve që portieri ka me Milanin për rinovimin e kontratës. “Kur një futbollist i këtij niveli është në merkato, kemi për detyrë që të tentojmë për ta marrë. Pas kaosit të krijuar mes Milanit dhe Donnarumës nuk është Juventusi, por …. Unë uroj që palët të arrijnë një marrëveshje, por nëse do të jetë në shitje ne do ta provojmë. Gigio është një talent, bën diferencën”, tha Marota.
Në fakt Juventusi duhet të jetë mjaft i kujdesshëm për të ndërhyrë në momentin e duhur dhe me ofertën e duhur, sepse për 18-vjeçarin presin në radhë emra të tjerë të mëdhenj të futbollit europian si Real Madrid, PSG, Manchester United apo edhe Interi nga Seria A. Milani në pamundësi për të rinovuar me portierin e kombëtares italiane do të kërkojë ta shesë për 50 milionë euro, për të mos e humbur me parametër zero pas një viti. Ndërkohë menaxheri i lojtarit, Mino Raiola është gati të ulet në bisedime, por duke u nisur nga një shifër shumë e ulët nga 10 deri 15 milionë euro. Duket qartë se telenovela “Donnaruma” ndoshta mund të zgjasë gjatë gjithë verës.
Por në këtë intervistën e tij ku tema kryesore ishte Donnaruma, Marota sqaroi situatën e emrave të tjerë që janë objektiva të Juventusit. “Kemi marrë autorizimin e Bayernit për të takuar menaxherët e Dauglas Costas, për të kuptuar nëse është i gatshëm të bashkohet me ne. Të shohim nëse Bayerni dëshiron ta shesë dhe nëse ka përputhje mes kërkesës së tyre dhe ofertës sonë. Sa i përket Nzonzit thjesht kemi studuar situatën, por nuk kemi folur kurrë me Sevillan. Përsa i përket Verratit, duke vlerësuar karakteristikat e futbollistit mendojnë që nuk ia vlen të investojmë kaq shumë para”, tha ai.
Drejtuesi i Juventusit zbulon në fund një ofertë të çmendur për mbrojtësin e krahut të majtë Alex Sandro. “Chelsea na ka ofruar 60 milionë euro, por kemi thënë jo. Gjithmonë i referohem principit që futbollisti është zot i vetes së tij. Nëse dëshiron, mund të largohet, sikurse ka ndodhur me Pogba-në”, përfundoi Marota.