Marotta: Dua Championsin me Juven, kurrë në klub tjetër

Drejtori sportiv i Juventusit ka treguar fiksimin e bardhezinjve për të fituar Championsin, në një intervistë për mediat italiane. Marotta ka shkuar edhe më tej, duke i premtuar besnikëri Juventusit, ndërsa është shprehur se edhe kur të largohet nga bardhezinjtë, nuk do të shkojë në asnjë klub tjetër. “Cikli im nuk ka përfunduar ende, sepse duam të arrijmë me çdo kusht Championsin. Më pas nuk e di ç’do të bëj, por kur Agnellit të mos i duhem më, e sigurt është që nuk do të më shihni në asnjë klub tjetër”, tha Marotta.
Drejtori sportiv i bardhezinjve foli edhe për nevojën e ndërhyrjes në merkato, ku evidentoi mbrojtjen si repartin ku skuadra e Allegrit duhet të përforcohen në verën e ardhshme. “Kemi blerë Caldarën, që është një mbrojtës i mirë dhe do të na bashkohet në verë, por do të tentojmë të afrojmë edhe ndonjë futbollist tjetër, për të qenë të plotë në repartin e mbrojtjes”, tha ai.
Beppe Marotta tregoi se largimi i Bonuccit nuk lidhej aspak me Allegrin, ndërsa tha se Juventusi është skuadër e ndërtuar për të fituar titullin kampion. “Largimi i Bonuccit nuk lidhet aspak me Allegrin dhe për këtë ju siguroj. Ne do të kërkojmë fitoren, sepse jemi ndërtuar për të marrë titullin dhe nëse nuk ia dalim, do të jetë dështim. VAR do të legjitimojë edhe më tepër fitoren tonë, pasi shpesh jemi përfolur për favore nga ana e gjykimit”, tha drejtori sportiv i bardhezinjve.

Artikulli paraprakNeymar përlotet në konferencë
Artikulli tjetër“Lista e zezë” e PSG