Marotta: Dybala nuk është në shitje

Drejtori i Përgjithshëm i Juventus-it, Beppe Marotta këmbëngul se Paulo Dybala nuk është në shitje, për asnjë lloj çmimi. E ardhmja e argjentinasit këto kohë te “Zonja e Vjetër” është vendosur në pikëpyetje, me Barcelona-n që dëshiron shërbimet e tij. Megjithatë drejtuesi bardhezi “blindon” 23-vjeçarin duke theksuar se nuk do të largohet nga Torino.
Marrin fund zërat për të ardhmen e Radja Nainggolan. Lojtari belg rinovon kontratën e tij me Romën, duke i dhënë fund çdo spekulimi për të ardhmen e tij. Mesfushori firmos kontratën që do ta lidhë me klubin verdhekuq deri në vitin 2021. Duke folur për faqen zyrtare të klubit Nainggolan pohon se kjo ka qenë gjithmonë dëshira e tij dhe se nuk e ka menduar ndonjëherë largimin.
Interi duhet të harrojë Arturo Vidal. Të paktën këtë theksoi shefi ekzekutiv i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, i cili ia bëri të qartë zikaltërve, se kiliani nuk është në shitje. Legjenda e futbollit gjerman e përjashtoi me 100% mundësinë e largimit të Vidal nga “Allianz Arena”, duke pranuar rëndësinë që ka 30-vjeçari në skuadrën bavareze. Cilado qoftë oferta e Interi, bavarezët do ta refuzojnë menjëherë.
Sinisa Mihajloviç vendos në merkato Antonio Barreca. Trajneri i Torinos i pyetur për të ardhmen e 22-vjeçarit tha se në rast të një oferte të mirë në drejtim të lojtarit, atëherë ai mund të largohet nga klubi granata. Për momentin ekipet që kanë shfaqur interes për mbrojtësin janë Roma, Monaco dhe Tottenham, edhe pse për momentin nuk ka asnjë ofertë konkrete.
Alberto Gilardino pritet që karrierën ta vazhdojë në Serie B. Ish-sulmuesi i Milanit, Fiorentinës dhe Parmës, Alberto Gilardino është në kërkim të një klubi të ri. Ish-futbollisti i Italisë, aktualisht është pa ekip pas ndarjes me Pescaran. Sipas “Cronaca4.it”, Gilardino kërkohet nga skuadra e Serie B, Spezia. Interesim për Gilardinon kanë shfaquar edhe disa ekipe nga Serie B si: Parma, Cremonese dhe Venecia.

Exit mobile version