Marrëdhëniet e tensionuara mes palëve/ Biden dhe Putin do të takohen më 16 qershor në Gjenevë

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se Presidenti Joe Biden do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë muajin tjetër, ndërsa administrata kërkon të rivendosë stabilitetin e marrëdhënieve në klimën e tensionimit të tensioneve dypalëshe.

Disa ligjvënës republikanë e kanë kritikuar vendimin, duke ngritur shqetësime rreth disa lëvizjeve të fundit të Moskës dhe aleatit të saj Bjellorusisë.

Samiti Biden-Putin mes tensioneve
Samiti amerikano-rus midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Vladimir Putin është caktuar për më 16 qershor në Gjenevë, pas një takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel.

Udhëheqësit do të diskutojnë çështje me interes të ndërsjellë, duke përfshirë kontrollin e armëve, ndryshimin e klimës dhe ringjalljen e marrëveshjes bërthamore për Iranin. Shtëpia e Bardhë e konfirmoi takimin Biden-Putin, megjithë disa lëvizje të fundit të një aleati të Rusisë.

“Ai do të ngrejë edhe çështjen e Bjellorusisë dhe do të përcjellë shqetësimet tona të mëdha,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Të dielën, Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, aleat i Putinit, urdhëroi që një avion udhëtarësh të devijohej nga itinerari për të arrestuar gazetarin kritik ndaj qeverisë së tij Raman Pratasevich, i cili ndodhej në bord.

“Ajo që bëri Lukashenko-ja ishte e papranueshme. Ishte një akt piraterie ajrore ose terrorizmi ajror. Pra, duhet të ketë një ndëshkim. Dhe besoj se BE-ja reagoi me shpejtësi të pazakontë, duke ndaluar përdorimin e aeroporteve të BE-së dhe hapësirën e saj për linjën ajrore bjelloruse, Belavia. Kjo ishte një masë ndëshkuese shumë e rëndësishme,” thotë John Herbst, ananalist në Këshillin Atlantik.

Moska ka mohuar se ka gisht në incident. Presidenti Biden e dënoi incidentin dhe tha se ai mbështet luftën e popullit bjellorus për demokraci, ndërkohë që Lukashenko është në pushtet prej 27 vjetësh. Por disa republikanë thanë se kjo nuk mjafton.

Në një deklaratë, Senatori Ben Sasse tha se në vend që ta trajtojë Putinin si gangster, Presidenti Biden po i jep atij tubacionin Nord Stream 2 dhe po legjitimon veprimet e tij me një samit.

“Ne nuk e shohim takimin me presidentin rus si një shpërblim. Ne e shohim atë si një pjesë jetike të mbrojtjes së interesave të Amerikës. Presidenti Biden po takohet me Vladimir Putinin pikërisht për shkak të dallimeve mes vendeve tona dhe jo e kundërta,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej vitesh për të bllokuar ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Gjermanisë. Administrata Biden ka vendosur sanksione ndaj kompanive ruse të përfshira në projektin, që është pothuajse gati. Por ajo hoqi dorë nga ndëshkimet ndaj kompanisë gjermane që mbikëqyr projektin, duke thënë se kjo nuk përputhej me angazhimin e saj për të forcuar marrëdhëniet ndëratlantike.

“Administratës Biden i duhet të mbajë pranë evropianët, veçanërisht gjermanët. Taktika e Rusisë gjithmonë ka qenë të dobësojë marrëdhëniet ndëratlantike, të dobësojë Perëndimin dhe të përçajë Evropën. Tani është koha që evropianët të bashkohen dhe të mbështesin përpjekjet e zotit Bajden,” thotë Judy Dempsey, e institutit Carnegie Europe.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden do të ngrejë gjithashtu çështjen e agresionit të Moskës ndaj Ukrainës por theksoi se administrata po përpiqet të rikthejë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Artikulli paraprakManchesteri humbi në finalen e Europa League, Solskjaer i zhgënjyer
Artikulli tjetërBiden bën thirrje për zbulimin e origjinës së pandemisë, mund të jetë aksident laboratorik