Marrëdhëniet Izrael-Iran, parë nga një dimension ndryshe

NGA AGRON LOCI

Mirë se erdhët në Luftën e Tretë Botërore”, “Irani dhe Izraeli – a ekziston rreziku i një lufte të madhe?” janë titujt e dy prej mediave më të mëdha botërore ndër mijëra të tjerë që i referohen konfliktit të kohëve të fundit mes dy vendeve. Në fakt, Izraeli dhe Irani, apo siç njihej deri në 1935 Persia, janë dy prej popujve më të lashtë në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të Afërt, por që prej gati një gjysmë shekulli i përcjellin botës së kohëve moderne vetëm lajme përplasjesh në distancë, e deklaratash të ashpra mbushur me urrejtje dhe kërcënime për luftë deri në shfarosje. Si dy fuqi ushtarake rajonale, një përplasje e armatosur mes tyre, siç për pak ndodhi përpara disa ditësh, përmban brenda saj gjithnjë rrezikun e eskalimit në një konflikt me përmasa të gjëra dhe me pasoja katastrofale për njerëzimin.

Dhe ta mendosh se, përpara revolucionit islamik iranian të 1979 kur në krye erdhi kleriku Ayatollah Khomeini, të dyja vendet ishin partnerët më të afërt në rajon. Irani ishte furnizuesi më i madh i Izraelit me naftë, madje edhe në momentet kur ai ishte në luftë me fqinjët e tij arabë, ndërkohë që importonte prej tij armatime dhe produkte bujqësore. Historia e tyre mund të përmblidhet me thënien nga miq në armiq të betuar. Një vend jo arab si Irani, dikur miku më i ngushtë, madje një ndër vendet e para me popullsi islame që njohu shtetin e Izraelit, sot ka përcaktuar si objektiv kryesor të politikës së tij të jashtme të “zhdukë” shtetin izraelit që e konsideron “çiban” dhe si rrezikun kryesor ndaj kulturës dhe popullsisë arabe. Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur gjatë dekadave të fundit ku një numër shtetesh arabe në rajon, përpara konfliktit në Gaza, i kishin përmirësuar marrëdhëniet me Izraelin.

HISTORIA FLET NDRYSHE

Në fakt, Irani dhe Izraeli që aktualisht, kaq shumë e “urrejnë njëri tjetrin”, në historinë e tyre të përbashkët prej tri mijë vitesh kanë pasur edhe periudha marrëdhëniesh miqësore, aspak të ngjashme me situatën sot. Madje, këto marrëdhënie kanë arritur deri në ato nivele saqë pa kontributin e persëve të dikurshëm, Iranit të sotëm, Izraeli ndoshta nuk do të ekzistonte ose nuk do të kish qenë ky që ne njohim sot.

Një ndër burimet që hedh dritë mbi raportet mes tyre janë librat e shenjtë, sidomos Testamenti i Vjetër apo siç njihet edhe si Bibla hebreje. Në këtë libër janë të ndërthurura në mënyrë harmonike, dimensionet mitologjike, me ato të legjendës dhe të historisë.

Është pikërisht elementi historik që duke na rikthyer shumë pas në kohë na mundëson të njohim një anë tjetër të marrëdhënieve mes tyre. Gjithçka e ka zanafillën në atë pjesë të rajonit e quajtur dikur Mesopotami (shqip, vendi mes dy lumenjve Tigris dhe Eufratis), ku zë fill dhe ka rrënjët një pjesë shumë e rëndësishme jo vetëm e historisë së vendeve të rajonit, por edhe e historisë dhe kulturës botërore, e cila ia ka arritur ta shtrijë ndikimin e saj të jashtëzakonshëm deri në ditët tona. Për fat të keq, ky rajon me kaq kontribute të mëdha në historinë e njerëzimit, sot në një pjesë të madhe të tij vazhdon të vuajë pasojat e një lufte të madhe por edhe të konflikteve aktuale rajonale apo atyre brenda vendeve të veçanta duke e kthyer në një ndër zonat më të pasigurta e më të rrezikshme në botë. Ndërkohë që dikur konsiderohej si djepi i dijes, i qytetërimit, apo si model i përparimit shoqëror, e shkencor.

Aty lindën perandoritë e para më të mëdha që kish njohur njerëzimi asirianët, babilonasit dhe persët. Në atë pjesë të botës i kanë gjithashtu rrënjët e tyre tre prej besimeve më të rëndësishme monoteiste hebraizmi, krishterimi dhe islami.

Diku rreth 80 km në jug të Bagdadit, ku ende sot dallohen shenjat e luftës së para disa viteve, nga një qytet dikur i quajtur UR, Abrahami, i përzgjedhuri i Zotit, do të merrte rrugën për në Tokën e Premtuar. Ai, që origjinën e ka nga një qytet që për ironi të fatit sot ndodhet në një shtet arab, do të bëhej babai i tri feve monoteiste më me ndikim në ditët tona.

Hebrenjtë dhe të krishterët e konsiderojnë si të mandatuarin hyjnor që hodhi bazat e besimeve të tyre. Edhe feja islame e lidh gjenezën e saj tokësore me Abrahamin (Ibrahimi) që në besimin islam luan një rol shumë të rëndësishëm dhe bën pjesë në 25 profetët e saj. Sipas Biblës dhe Kuranit, ai është babai biologjik i Ishmaelit, por edhe i Isaakut që janë fillesat për linjat gjenealogjike nga ku rrjedhin tre besimet e mëdha. Gjithsesi, kjo mbetet në dimensionin mitologjik.

Duke ju rikthyer historisë së rajonit e para nga fuqitë e mëdha që shfaqet është perandoria asiriane. Ajo konsiderohet si perandoria më e madhe që kish njohur njerëzimi deri në atë kohë. Arriti të pushtonte shumë territore përfshi mbretërinë e Izraelit që shtrihej në pjesën veriore, por pa mundur të pushtonte mbretërinë jugore të Juda-s. Kjo ngjarje përbën fillimin e kalvarit të dëbimeve e largimeve, që do të zgjasë me shekuj dhe një ndër pikat e dhimbshme të historisë hebreje, pasi me këtë pushtim dhe me detyrimin për t’u larguar nga vendi i tyre, zhduken përgjithnjë nga historia 10 fiset izraelite. Duke u dëbuar me dhunë kryesisht në drejtim të territoreve të perandorisë asiriane ata asimilohen.

Ndërkohë që një perandori tjetër më e fuqishme fillon të forcohet në rajon dhe pasi mposht asirianët, fillon ekspansionin drejt detit Mesdhe. Është perandoria babilonase, e cila pushton të gjitha territoret e mbretërisë izraelite përfshi edhe mbretërinë e Juda-s. Tri janë elementet kryesore që lidhen me këtë pushtim. Së pari, babilonasit arritën të pushtojnë edhe mbretërinë jugore të Juda-s e bashkë me të dhe kryeqytetin e saj Jerusalemin, gjë që asirianët nuk ja kishin arritur. Së dyti, është shkatërrimi i Tempullit të parë ai i Solomonit, simbol i identitetit dhe monarkisë së unifikuar hebreje. Së treti, largimi i dhunshëm edhe më i madh i popullsisë hebreje drejt Babilonisë që përbën dhe eksodin e dytë të detyruar nga vendi i tyre.

Me rënien e perandorisë babilonase një tjetër më e madhe dhe më e fuqishme fillon të shfaqet në rajon. Perandoria perse, nga fundi i shek.. 6 p.e.s. pasi mposht babilonasit bëhet perandoria më e madhe dhe më e fuqishme jo vetëm ushtarakisht, por edhe përsa i përket sipërfaqes nën zotërimin e saj. Pjesë e perandorisë u bë edhe territori hebre. Por ndryshe nga asirianët dhe babilonasit, persianët dhe para së gjithash mbreti i tyre Kiri (Cyrus) nuk i vranë apo tentuan të asimilojnë hebrenjtë. Mbreti Kiri madje ka luajtur një rol qendror në historinë e Izraelit. Ai vlerësohet jo vetëm nga profetët biblikë, bashkëkohës të tij, por edhe nga shumë studiues, historianë e politikanë të hershëm e aktualë për mbështetjen dhe ndihmën që i dha popullit izraelit që prej 70 vitesh endesh rrugëve të perandorisë babilonase i përzënë dhunshëm nga vendi i tyre dhe i rrezikuar për t’u asimiluar ose për t’u zhdukur. Duke e vlerësuar këtë rol në ndihmë të popullsisë hebreje, në Biblën e tyre ai quhet “Kiri i Madh” ose “çlirimtari i hebrejve”. Madje, një prej profetëve hebrenj Isaiah, shkruan se ai ishte “Mesia, i dërguari i Zotit”. Ajo që përmendet shpesh është dekreti i tij në formën e një cilindri balte (v. 583 p.e.s), i cili ndodhet sot në muzeun britanik, ku janë gdhendur urdhrat e tij për çlirimin e hebrenjve, për kthimin e tyre në vendlindje si dhe për respektimin e bindjes së tyre fetare dhe ndër më të rëndësishmet ishte vendimi që mori për t’i lejuar dhe ndihmuar në rindërtimin e Tempullit të Solomonit në Jerusalem. Në histori përmenden tre mbretër persë Kiri, Dario dhe Artakserekses që kanë kontribuar në ndërtimin e Tempullit të Dytë në Jerusalem. Ndër ta, mbreti Kir konsiderohet nga shumë historianë si “pushtuesi i parë tolerant dhe humanist”. Madje, në Librat e shenjtë hebrenj për Persinë ka plot 240 referenca. Sigurisht që ka dhe profeci dhe projeksione negative por mbreti Kir përmendet 19 herë dhe kudo vlerësohet për rolin e tij në “çlirimin e hebrenjve”, apo si Mesia i dërguar nga Zoti për të shpëtuar “popullin e zgjedhur”, siç e quajnë veten hebrenjtë.

Dhe ta imagjinosh se sot në kohën kur të dy vendet janë në zgrip të një konflikti të armatosur, ultraortodoksët hebrenj, hared-ët, që merren gjatë të gjithë kohës me studimin e Biblës, vazhdojnë të lexojnë dhe t’u flasin të tjerëve për rolin e jashtëzakonshëm të mbretit pers Kiri për të shpëtuar hebrenjtë nga asimilimi dhe zhdukja.

Pavarësisht këtyre marrëdhënieve që i përkasin historisë dhe që shtrihen shumë larg në kohë gjërat me kalimin e kohës ndryshuan. Vendet përgjatë shekujve u pushtuan nga perandori edhe më të fuqishme, fillimisht grekët e më pas romakët e osmanët, besime të reja me shtrirje globale filluan të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm në rajon. Ai mirëkuptim, humanizëm, respekt i asaj kohe për njëri-tjetrin nuk ekziston më. Sot të dy vendet i ndajnë jo vetëm besimet respektive fetare, por edhe sistemet e ndryshme politike dhe vlerat që ato përfaqësojnë, qasjet mbi përkatësinë, historinë dhe rolin e tyre në rajon, apo pozicionimi në skakierën gjeopolitike përfshi aleancat me fuqitë e mëdha. Megjithatë, pavarësisht situatës së nderë, ajo që mund të shpinte në një shkallë të madhe në shtensionimin e marrëdhënieve jo vetëm mes tyre, por të tërë rajonit do të ishte nëse çështjes së Palestinës do t’i jepej një zgjidhje përfundimtare e dakordësuar. Kjo do të bënte që më e pakta palët të riktheheshin në pozitat e tyre të para konfliktit, ndërkohë që me siguri do të duhet të presim ende shumë kohë që iranianët (persët e dikurshëm) dhe izraelitët ta vlerësojnë e respektojnë njëri tjetrin si në kohën e Kirit të Madh./Panorama.com.al

Artikulli paraprak“Urdhri i inxhinierit do të çonte në kolaps ekonominë”, Dëshira Mena: Synohet të kapet shteti brenda shtetit!
Artikulli tjetërTV si TikTOK