Marrëveshja absurde për Aeroportin e Rinasit

Qeveria ka deklaruar dje, në mënyrë triumfale (për të disatën herë) se ajo ka arritur një marrëveshje për heqjen e monopolit të fluturimeve ndërkombëtare me kompaninë që administron Aeroportin e Rinasit, Tirana International Airport Partners (TIA).

Ndryshe nga hera e fundit kur ish-ministri i Ekonomisë, Ahmetaj deklaroi se, ekskluziviteti ishte hequr për territorin përtej rrezes 100 km nga Rinasi, ministri i Transporteve, Haxhinasto shpjegoi se monopoli është hequr në fakt, në shkëmbim të zgjatjes së afatit të koncesionit mbi Rinasin, fillimisht me dy vjet dhe pastaj me 0,5 vjet për çdo vit operimi të një tjetër aeroporti ndërkombëtar para mbarimit të afatit të koncesionit të TIA-s.

Bashkë me këtë lajm u përhap në media edhe lajmi se së shpejti do të hapet Aeroporti i Kukësit, por lajmi në rastin më të mirë është i ngutur, në mos spekulim i qëllimshëm.

Aeroporti Zayed bin Sultan Al Nahyan i Kukësit, (mban emrin e njërit prej anëtarëve të familjes që sundon Emiratin e Dubait) u ndërtua para 10 vitesh me financim të Emirateve Arabe, por nuk është hapur asnjëherë për shkak të monopolit të Rinasit për fluturimet ndërkombëtare.

Edhe pas marrëveshjes së shpallur, duket se ka pak gjasa që ai të hapet edhe për shumë kohë, në mos asnjëherë.

Së pari, Aeroporti i Kukësit nuk plotëson asnjë kusht minimal për të pritur fluturime, ngritje, ulje dhe përpunim. Ai kërkon miliona euro investime në infrastrukturë dhe teknologji që të vihet në punë, pasi infrastruktura e tij aktuale- përfshi infrastrukturën e sigurisë- është e papërshtatshme edhe për një aeroport lokal.

Së dyti, edhe nëse aeroporti do të plotësojë, teorikisht, kushtet minimale për çfarëdo fluturimi, marrja e çertifikimit për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare nga agjencitë përkatëse botërore, europiane dhe të shteteve të veçanta, për lejimin e fluturimeve ndërkombëtare do të kërkojë dhjetëra milionë euro investime dhe disa vite.

Së treti, edhe sikur Aeroporti i Kukësit të çertifikohet për fluturime ndërkombëtare, kjo nuk do të thotë që linjat e huaja ajrore do të fillojnë, patjetër, fluturimet nga Kukësi. Legjenda se linjat me kosto të ulët mezi po presin për të filluar fluturimet nga Kukësi është thjesht legjendë.

Së katërti, Aeroporti i Kukësit do të ketë konkurrencë të madhe nga Aeroporti i Prishtinës, që ndodhet rreth një orë larg, i cili ofron kushte shumë herë më të mira për të gjitha llojet e fluturimeve ndërkombëtare, përfshi ato me kosto të ulët.

Kjo do të thotë, nëse nuk do të ketë investim për ndonjë aeroport në jug të vendit, marrëveshja që ka bërë qeveria është marrëveshje absurde, ekonomikisht, pasi prej saj me gjasa do të përfitojë vetëm koncesionari, që tashmë ka siguruar një zgjatje disa vjeçare të koncesionit, me fitime dhjetëra milionë euro dhe pa asnjë kosto.

Ndërkohë si për çdo gjë tjetër, mundet që e vetmja gjë që do i mbetet qeverisë është pak publicitet triumfal, që ndihmon për manipulimin e opinionit publik.

“Exit.al”

Artikulli paraprak“Dragoon Ride”, ushtarë e tanke amerikane nga Baltiku në Bavari
Artikulli tjetërSi po trukohet nga qeveria rritja ekonomike