Marrëveshja me Greqinë, Rama i përfshirë në një skenar kriminal

Një aferë e errët pa transparencë dhe një skenar kriminal e cilësoi kryetari i PD, Lulzim Basha marrëveshjen e qeverisë shqiptare me palën greke. Basha i’u përgjigj interesit të gazetarëve dje mbi disa çështje mes të cilave edhe marrëveshja me Greqinë etj. Basha deklaroi se PD do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, për ta zbardhur deri në fund dhe nëse rezultojnë të vërteta pretendimet e shpallura nga media greke apo në disa raste nga zyrtarët grekë, askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore dhe penale.

-Zoti Basha, si e shpjegoni dorëheqjen e dy zonjave në Berat për t’i hapur rrugë Astrit Veliajt në Parlament?
Astrit Veliaj është numri dy në listën e Beratit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos se kush do të marrë mandatin. Këto janë çështje të KQZ-së dhe të vullnetit të personave përkatës. Rasti në asnjë gjë nuk ngjan me Arben Ndokën, aq sa ngjan televizioni juaj me një motoskaf droge. Sepse Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet, në asnjë nga kandidatët kushdoqoftë deputet i ardhshëm.

-Zoti Basha, është tërhequr Partia Demokratike nga kallëzimi penal për ministren e Drejtësisë, i paralajmëruar në Kuvend nga deputeti Enkelejd Alibeaj?
Jo, nuk jemi tërhequr nga kallëzimi penal, por i paraprijmë me këtë Komision parlamentar për përgjegjësitë e Edi Ramës, për varrosjen e fakteve të raportuara të konfirmuar nga shërbimet zyrtare shqiptare dhe të huaja. I ka varrosur, sepse dihet që droga nuk mund të bëjë pa Saimir Tahirin, pa krerët më të lartë të policisë, pra nuk mund të bëjë pa Edi Ramën. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj përgjegjësie. Pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe grabitja e llogaritarit të drogës për të cilën çdokush do të mbajë përgjegjësitë e veta, duke përfshirë edhe ministren e Drejtësisë.

-Keni një koment lidhur me faktet e publikuara nga shtypi grek se qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë arritur marrëvëshjen për shelfin kontinental dhe ndarjen e zonave ekonomike?
Kjo është një aferë e errët pa transparencë dhe të gjitha gjasat janë që kemi të bëjmë me një skenar kriminal. Përsa i përket përfshirjes së palës shqiptare, dje kemi patur një prononcim të institucionit të Presidentit që nuk ka plotfuqishmëri dhe në ndjekje të këtij prononcimi, anëtarët tanë të Komisionit të Jashtëm, duke nisur nga dita e sotme do të kërkojnë sipas ligjit që detyron qeverinë, në këtë rast Ministrinë e Jashtme, dokumentacionin e plotë të negociatave të mbajtura sekret nga pala shqiptare. Gjithçka që e dimë, e dimë nga prononcimet greke.
Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje, do ta zbardhim deri në fund dhe nëse rezultojnë të vërteta pretendimet e shpallura nga media greke apo në disa raste nga zyrtarët grekë, askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore dhe penale.

-Përse vendosët tani për të ngritur Komisionin Hetimor, ju besoni se hetimit të Tahirit do t’i shkojë më në fund opozita dhe jo institucionet vendase ose ndërkombëtare?
Komisioni Hetimor nuk heton veprën penale, por heton përgjegjësinë e qeverisë dhe Parlamentit për të penguar në këtë rast hetimin, siç e ka penguar, dhe çështë më e rëndësishmja përgjegjësitë e Edi Ramës dhe të institucioneve të Ministrisë së Brendshme, të Policisë, për injorimin e sinjalizimeve që vinin zyrtarisht, përsa i përket përfshirjes së Policisë së Shtetit, politikanëve, pushtetarëve, ministrave në mbjelljen, kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Kjo do të hetohet dhe natyrisht drejtësia e pavarur e pakapur do ta kishte zbardhur sot rastin “Tahiri” dhe përmes rastit “Tahiri” do të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë të tjerët që janë përgjegjës për kthimin e Shqipërisë në një “Kolumbi të Europës”, për këtë arsye Edi Rama është investuar.
Ka kapur prokurorin, ka shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe tani nuk ka asnjë shans që rasti “Tahiri”, të zbardhet përmes drejtësisë, aq më shumë pas rrëmbimit të llogaritarit, njeriu, i cili do të depononte për shumat e përfituara nga Tahiri dhe nga politikanë të tjerë në aferën e bandës Habilaj. Ka dhjetëra banda të tjera, ka dhjetëra politikanë të tjerë, disa të tjerë si përshembull Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, janë denoncuar në media në komunikim me Klodian Zoton e inceneratorëve. Përsëri për shuma parashë dhe influenca të paligjshme të parave, dmth për blerje votash. Këto nuk mund të zbardhen sa kohë që drejtësia do të vazhdojë të jetë e kapur, sa kohë që Edi Rama dhe shpura e tij e banditëve në pushtet nuk do të vihen para përgjegjësisë. Komisioni Hetimor është një hap institucional, por jo i vetmi hap që ne do të hedhim, derisa t’i vëmë para përgjegjësisë këtë bandë që nuk e ka vendin në qeveri, por e kanë vendin para drejtësisë.

Exit mobile version