Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me marrëveshjen e firmosur me kryeministren italiane ku Shqipëria bëhet vend pritës për emigrantët.
Përmes një njoftimi për mediat PD bën me dije se kërkesa për interpelancë është dorëzuar nga nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku.
Shqipëria dhe Italia nënshkruan sot një marrëveshje për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm.
Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në Itali ku mbajti një konferencë për shtyp së bashku me homologen e tij italiane Girogia Meloni për të folur rreth marrëveshjes për refugjatët.
Rama tha se Shqipëria nuk mund të jetë zgjidhja për situatën e vështirë ku ndodhet Italia në këto momente, por mund të japë një ndihmë, pasi pas futjes në Itali, sipas tij emigrantët e paligjshëm e kanë shumë të lehtë të lëvizin në çdo vend të BE-së. Rama tha se Shqipëria i është në borxh të madh Italisë për pritjen e refugjatëve në vitet ’90, ndaj nëse ajo thërret, Shqipëria duhet të përgjigjet.