Marrëveshja për mineralet, Ukraina nënshkruan memorandum mirëkuptimi me SHBA-në! Pritet krijimi i një fondi për rindërtimin e vendit

Qeveria e Ukrainës njoftoi nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara në lidhje me mineralet.

 

Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Julia Svyrydenko, deklaroi se ky memorandum hap rrugën për atë që ajo e përshkroi si një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik.

Sipas saj, marrëveshja përfundimtare do të përfshijë edhe krijimin e një fondi investimi për rindërtimin e Ukrainës. Zyrtarë amerikanë shprehën shpresën se marrëveshja mund të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme.

Përplasja publike e Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në shkurt kishte vonuar përkohësisht negociatat.

Svyrydenko e bëri të ditur nënshkrimin e memorandumit përmes një postimi në platformën X, pa dhënë më shumë detaje.

Postimi i saj përfshinte fotografi nga nënshkrimi i veçantë i dokumentit prej saj dhe sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent.

“Jemi të kënaqur të njoftojmë nënshkrimin, së bashku me partnerët tanë amerikanë, të një Memorandumi Mirëkuptimi që hap rrugën për një Marrëveshje Bashkëpunimi Ekonomik dhe krijimin e Fondit të Investimeve për Rindërtimin e Ukrainës,” shkroi Svyrydenko.

Nënshkrimi u bë gjatë një thirrjeje online me Bessent, i cili deklaroi se detajet e marrëveshjes janë ende në diskutim.

“Praktikisht, kjo është ajo për të cilën kemi rënë dakord edhe më parë. Kur presidenti (Volodymyr Zelensky) ishte këtu, kishim nënshkruar një memorandum mirëkuptimi. Tani kemi kaluar direkt te marrëveshja e madhe, që mendoj se ka rreth 80 faqe, dhe kjo është ajo që do të nënshkruajmë,” tha ai.

Donald Trump gjithashtu përmendi marrëveshjen gjatë një konference për shtyp me kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Exit mobile version