Nga marrëveshja përfitojnë mijëra shqiptarë që vitet e punës i kanë ndarë mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe anasjelltas.
“Uroj së pari mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Austri, për arritjen e kësaj marrëveshjeje, të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të saj. Sikundër firma jonë sot mbi këtë marrëveshje z. ministër, është në interesin e përbashkët të qytetarëve tanë, në një kohë kur lëvizja e lirë e krahut të punës në hapësirën e përbashkët europiane dhe më gjerë, është duke njohur një trajektore të rëndësishme”, deklaroi ministri Klosi pas nënshkrimit me homologun austriak, z. Stöger.
Ministri Federal i Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, z. Alois Stöger deklaroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për Shqipërinë, në proceset e saj integruese drejt BE-së, sikundër vlerësoi punën për arritjen e marrëveshjes së rëndësishme ndërmjet dy vendeve tona.
Mes ministrit Klosi dhe ministrit Stöger u ra dakord gjithashtu për mbështetjen e plotë të reformës së shërbimeve, që MMSR do të ndërmarrë këtë vit.
“Morëm mbështetjen e plotë të ministrit Federal të Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, z. Alois Stöger për të mbështetur dhe asistuar paktin e mirëqenies sociale”, deklaroi ministri Klosi.
Nënshkrimi i marrëveshjes me Austrinë e shton këtë vend në listën e atyre shteteve që kanë realizuar kohët e fundit, marrëveshjen me Shqipërinë për njohjen e pensioneve si: Gjermania, Belgjika, Luksemburgu, Hungaria, Çekia, Rumania, Maqedonia. “Sikundër është në proces marrëveshja me Kanadanë dhe pritet nënshkrimi i saj i shpejtë”, deklaroi ministri Klosi duke dhënë lajmin e mirë pas kthimit nga vizita zyrtare në Londër, se do të nisin bisedimet për njohjen e marrëveshjes së pensioneve edhe me Anglinë.