Nga Kastriot Islami
Ngjarjet rrodhën ashtu siç duhet të rridhnin. Për mua nuk ka asgjë të çuditshme, madje e konsideroj një nga parashikimet e lehta. Zgjidhja e propozuar nga Meta, të dielën, ishte ashtu siç pritej. E saktë, e plotë, integrale, e pakonkurrueshme, madje do të thoja e patjetërsueshme. Me siguri të lartë e suksesshme dhe mbi të gjitha, jo një zgjidhje interesash të vogla e personale, por një zgjidhje afatgjatë në favor të interesit publik. Por edhe një zgjidhje përmes së cilës të gjithë faktorët e aktorët politikë dalin me raport pozitive të optimizuar përfitim/kosto…Të gjithë fitojnë nga zgjidhja, sepse ajo është uin-uin për të gjithë. Ndonëse ajo nuk është moralisht perfekte, moszbatimi i saj do të paraqiste shumë rreziqe serioze.
Propozimi i kryetarit të Kuvendit duhet lexuar e zbatuar në formë pakete, ku përfshihen: 1)dorëheqja e kryeministrit;
2) miratimi i Reformës në Drejtësi;
3) krijimi i një qeverie ekspertësh;
4) zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme në një afat të arsyeshëm e të gjithëpranuar.
Kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar besimin e munguar për Reformën në Drejtësi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo është një marrëveshje për Reformën në Drejtësi dhe rregullat e lojës për zgjedhjet, natyrisht duke nënkuptuar vullnetin e qartë për pastërti e ndershmëri në përcaktimin e kandidaturave që do të gjeneronin një Parlament dinjitoz nga zgjedhjet e ardhshme.
Pranimi i ftesës nga të gjithë aktorët shqiptarë është një shenjë pozitive. Shenjë e kuptimit të graviteti të gjendjes dhe racionalitetit të zgjidhjes. Qëndrimi i Bashës ishte i qartë e konsekuent politikisht, dinjitoz publikisht dhe moralisht i saktë. Qëndrimi i Ramës është kuptueshëm më implicit, por që besoj shumë shpjet do të sqarohet e alinjohet domosdoshmërisht me kërkesat e paketës
Pa asnjë dyshim mund të thuhet se, vendi ndodhet mes një Marrëveshje të rëndësishme e të paprecedentë, që çon drejt një zgjidhjeje paqësore e me shpresë afatgjatë dhe futjes në spiralen e përplasjeve e krizave të shumta drejt një të ardhmeje të paparashikueshme e plot rreziqe.
Lëvizjet apo tentativat për çështje numrash janë të destinuara të dështojnë. Rama e ka mbyllur ciklin e tij qoftë si kryeministër qoftë si kryetar i PSSH; ai është vetëm në rënie për të mos thënë është i rënë, duke mos shikuar asnjë lloj mekanizmi për t’u ngritur, por mbi të gjitha duke mos përcaktuar dot më asnjë objektiv suksesi. Rama realisht, me gjithçka ka bërë me qeverisjen dhe socialistët, dhe gjithçka zotëron si mbështetës në Parlament, parti e koalicion, aktualisht është në pozicionin shah-mat ose detyrim-përcaktim. Çdo tentativë për të penguar apo frenuar zgjidhjen e propozuar, duke u marrë me blerje mandatesh apo gjithçka tjetër do të dështonte dhe vetëm do t’i shtonte dhimbjet e kostot bartësve të tyre e sidomos Ramës, jo vetëm për të tashmen, por mbi të gjitha do t’i komplikonte të ardhmen politike dhe jo politike.
Të gjithë duhet të lënë mënjanë llogaritjet e shifrave, aq më shumë ata që nuk marrin vesh as nga shifrat dhe as nga analizat politike, sepse zgjidhja e propozuar apo moszgjidhja e hamendësuar nuk janë dhe s’do të mund të jenë çështje numrash në këtë moment, kur bëhet fjalë për menaxhimin e një krize besimi 25-vjeçar. Për më tepër që zgjidhja e propozuar është konceptuar nga ekspertë që zotërojnë aftësi të larta në menaxhimin e krizave.
Ata që bëhen pjesë e zgjidhjes mund të kenë të ardhme, të tjerët që do të pengojnë, frenojnë apo vonojnë zgjidhjen e vetme paqësore do të ndëshkohen këtë radhë. Aq më tepër që do të merrnin mbi vete përgjegjësinë e një krize eventuale nga më të thellat, ndoshta më e thella në këto 25 vjet, që do të rrezikonte vendin. Mjafton të shikohet se çka ndodhur në Greqi dhe çfarë po ndodh në Maqedoni.